Qëllimi për sigurimin e një shkalle më të lartë të rregullsisë të zgjedhjeve përmes kontrollit elektronik të shenjave të gishtit (fingerprint) si garancë se një person mundet vetëm një herë të votojë, tanimë po bëhet sinonim për luftë e re në prag të zgjedhjeve lokale.
Që e gjithë kjo të realizohet deri në zgjedhjet lokale, duhet të plotësohen dy parakushte teknike, të blehet pajisje e nevojshme dhe e njejta të blehet në kohë.
Nga Qeveria më parë thonin se është problem të realizohet kjo pasi MPB nuk guxon të jep bazën e të dhënave (shenjat e gishtave). Ata thonë se nevojiten ndryshime të dy neneve nga kodi zgjedhor, me çka MPB-së do t’i lejohet ta shpërndajë bazën e të dhënave për përdorim dhe përpunim të të dhënave, informon Zhurnal.
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi në një intervistë për Klan Maqedoni, paralajmëroi se ata janë të gatshëm edhe ti bojkotojnë zgjedhjet lokale në tetor nëse nuk ka fingerprint për verifikim të votuesve.
Gashi shprehet se pikërisht në vendet rurale duhet të ketë fingerprint pasi atje bëhet vjedhja më e madhe në zgjedhje.
Kështu sipas paralajmërimeve të Gashit, do të krijoheshte një kaos total politik.
Ndërkaq kryeministri Zoran Zaev shprehet i gatshëm që kjo kërkesë të realizohet në zgjedhjet lokale, por siç shtoi, edhe nëse nuk realizohet zgjedhjet do të jenë legjitime, ashtu siç kanë qenë deri më tani.
“Deri më tani kemi organizuar zgjedhje pa fingerprint dhe janë legjitime. Unë shpresoj që të arrijmë në zgjedhjet lokale të kemi zgjedhje me fingerprint. Përcaktimi jonë është këtë ta bëjmë. Kemi investuar para për këtë qëllim. Mund të paguajmë për të gjithë sistemin dhe dëshirojmë që të funksionojë. Por megjithatë Kodi Zgjedhor duhet sjell me konsensus”, tha Zoran Zaev.
Për t’u realizuar kjo kërkesë, nga LSDM shprehen të gatshëm që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor por për këtë siç thonë, nevojitet konsensus.
“LSDM është për fingerprint në zgjedhjet lokale dhe nuk është kundër siç potencojnë nga VMRO-DPMNE, por gjithnjë kur bëhet fjalë për ndryshime në kodin zgjedhor duhet së pari të sigurojmë konsensus, dhe të gjithë pjesmarësit politik duhet të pajtohemi për ndryshime në kodin zgjedhor”, deklaroi koordinuesi i grupës së deputetëve të LSDM-së në Kuvend, Jovan Mitreski.
Sipas tij, dilemat edhe më tej janë lidhur me bazat e të dhënave nga MPB por jo edhe me aspekte tjera lidhur me jostabilitete eventuale të sistemit për votim.