Në etno-fshatin malazez Brezna, i cili ndodhet në mes të Nikshiqit dhe Pluzhinës, filloi gara tradicionale ku pjesëmarrësit garojnë kush do qëndrojë më gjatë i shtrirë.
Në garën e dymbëdhjetë me radhë, marrin pjesë një numër rekord prej 21 garuesve. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe fituesja e vitit 2021, Dubravka Aleksiq nga Podgorica, e cila mban rekordin duke qëndruar shtrirë për 117 orë.
Krahasuar me vitet e kaluara, fondi i çmimeve është rritur dhe garuesi që qëndron i shtrirë më gjatë do të marrë një çmim prej 1 mijë eurove. Rregullat janë të tilla që pjesëmarrësve u është ndaluar të ngrihen, por atyre u lejohet gjumi, leximi i librave, ngrënia dhe pirja. Çdo tetë orë, garuesve u lejohet të shkojnë në tualet. Ky është një konkurs që e bën Malin e Zi unik në Evropë, dhe është veçanërisht interesant për shkak të stereotipit që ekziston për këtë komb, se ata janë dembelë. Pjesmarrësit thonë se përpos çmimit, kanë ardhur të jenë pjesë e garës interesante për të shijuar natyrën dhe për të ikur nga përditshmëria stresuese. Organizatori i garës dhe pronari i etno-fshatit Brezna, Miço Blagojeviç, në një prononcim për Anadolu tregon se idenë e organizimit të një gare të këtillë e ka pasur 12 vjet më parë, pikërisht për shkak të mitit se malazezët janë dembelë. “Në këtë mënyrë, e gjithë bota ka dëgjuar për ne. Sot kemi një numër rekord të konkurrentëve”, tha Blagojeviç. /SHENJA/