10.5 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeFilipçe: Krahasimi i thjeshtë i numrave për COVID-19 nuk e jep pasqyrën...

Filipçe: Krahasimi i thjeshtë i numrave për COVID-19 nuk e jep pasqyrën e vërtetë të situatës

Krahasimi i thjeshtë vetëm i numrave nuk është tregues i situatës, por është e rëndësishme të dihet se cila është arsyeja e rritjes së numrit të njerëzve të rinj të diagnostikuar me Kovid-19. Sistemin që ne e realizojmë për testim të gjerë dhe identifikim të të gjithëve, madje edhe pacientët asimptomatikë, mendoj se është i shkëlqyeshëm. Çdo qasje tjetër, e ndryshme mund të çojë që spitalet të mbingarkohen menjëherë, dhe kjo është pikërisht ajo që duam të shmangim. Prandaj, krahasimi i numrave të thjeshtë në nivelin rajonal nuk ka kuptim, theksoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili sot zhvilloi një vizitë pune në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër dhe Spitalin Special për Ortopedi dhe Traumatologji “Shën Erazmo”.

Siç sqaroi Filipçe, praktika në vend është që të bëhet testimi i gjerë, jo vetëm i personave me simptoma, por edhe kontaktet e tyre, gjë që lejon izolim në kohë dhe parashikimin e presionit në sistemin shëndetësor, gjithçka për shkak të aftësisë së kufizuar të ambienteve spitalore.

“Një përqindje e madhe e të diagnostikuarve të rinj janë asimptomatikë ose me një pasqyrë të lehtë, por me testimin mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë me presionin në kapacitetet spitalore, në spitale, ashtu edhe mbi personelin. Unë mendoj se sistemi i testimit të gjerë është i shkëlqyeshëm, sigurisht që një qasje tjetër mund të nënkuptojë që në një moment spitalet do të stërngarkohen me pacientë, dhe ne duam ta shmangim atë”, tha Filipçe.

Ai theksoi se pandemia e koronavirusit në botë nuk është zbutur, kudo që masat kufizuese lehtësohen ka të infektuar të rinj. Ka edhe të dhëna për rritje të numrit të të infektuarve në vendet përreth, për të cilën u diskutua këtë mëngjes në Komisionin e Sëmundjeve Infektive, dhe u bënë komunikime me autoritetet shëndetësore në të gjitha vendet përreth, me qëllim që të shihet pasqyra e vërtetë epidemiologjike në rajon.

Sa i përket vërejtjeve të caktuara në lidhje me prapavinë politike në marrjen e vendimeve të caktuara nga Komisioni për sëmundje infektive, Ministri kategorik se asnjë vendim, zgjidhje, rekomandim i Komisionit që nga fillimi i krizës me koronavirusin nuk ishte për qëllime politike. Përkundrazi, siç theksoi ai, “vendimet u morën mbi bazën e treguesve mjekësorë, epidemiologjikë, parametrave dhe të dhënave që i kemi analizuar”. Në atë drejtim, po bëhet analiza e tanishme për ta parë situatën aktuale me epideminë në rajon.

Ministri kishte takim me stafin mjekësor të Spitalit të Përgjithshëm në Ohër, duke theksuar se spitali është një nga qendrat rajonale ku që nga fillimi i krizës u përcaktua një pjesë e mjekëve, specialistëve, ekspertëve, ambienteve për trajtimin e pacientëve me Kovid-19. Ai e përshëndeti gatishmërinë e stafit mjekësor të Ohrit për një reagim të shpejtë dhe përshtatjen e tyre të efektshme ndaj rrethanave të reja.

Filipçe rikujtoi se në dy vitet e kaluara një numër i madh i njerëzve janë punësuar në spitalet në Ohër, disa prej tyre mjekë janë dërguar për specializim.

“Me këtë, ne kemi treguar se kujdesemi për shëndetin publik, mbi të gjitha, për ndoshta segmentin më të rëndësishëm të sistemit shëndetësor, dhe këto janë njerëzit – mjekët, infermierët dhe i gjithë stafi teknik ndihmës. Kjo është shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor”, theksoi Filipçe.

Në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër aktualisht janë 25 pacientë pozitivë të Kovid-19, gjashtë prej të cilëve janë në mbështetje të oksigjenit. Drejtori i institucionit, Goran Balevski, tha se të gjithë pacientët e pranuar deri më tani, trajtohen siç duhet, me vlerësimin se po përballen mirë me situatën.

“Situata është e qëndrueshme deri më tani, situata është e paparashikueshme, por si institucion jemi në dispozicion me të gjitha kapacitetet për pranimin dhe trajtimin e pacientëve”, tha Balevski. Lidhur me vërejtjet se është refuzuar pranimi i pacientëve nga rajoni i Strugës, Balevski tha se të gjitha procedurat kryhen në koordinim të ndërsjellë të qendrave.

Siç sqaroi ai, për dy muaj në Departamentin e Sëmundjeve Infektive të spitalit në Ohër, u hapën 146 histori spitalore, nga të cilat 90 për qind e pacientëve janë nga rajoni i Strugës./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments