Erdogani “merr frerët”: Do punoj me Biden për njohje të reja të Kosovës!

21

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të angazhohet personalisht për t’i sjellë Kosovës njohje të reja, siç e pohoi dhe vetë përpara gazetarëve turq.

Lajmin e përcjell agjensia Reuters e cila citon presidentin turk të pohojë se për këtë qëllim, do të bisedojë me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë vjeshtë.

Erdogan tha se do të propozojë një punë të përbashkët mbi këtë çështje, për të rritur numrin e vendeve që e njohin Kosovën, e cila e shpalli pavarësinë në vitin 2008. Sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, janë 117 vende që e njohin pavarësinë. Serbia nga ana tjetër që prej 2017-tës është angazhuar intensivisht në një fushatë diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Si pasojë e këtij lobimi, disa vende i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën.

Marrëveshja e Washingtonit, e firmosur në 4 shtator 2020, e detyron Beogradin të ndalojë fushatën e tij të njohjeve të Kosovës, ndërsa Prishtina ka detyrimin të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit.

Top Channel