Teksa qeveria në Maqedoninë e Veriut i ka dhënë dritën jeshile projekt ligjit për kontrollin e kanabisit dhe eksportimin për arsye medicinale, opozita e vendit ka paralajmëruar bllokim të plotë.
Me këtë projekt ligj planifikohet që kompanitë që kultivojnë kanabis të munden që sasitë e prodhuara të kanabisit t’i shesin jashtë vendit. VMRO DPMNE akuzon se pushteti dëshiron të legalizojë, “krimin e Zoran Zaevit”. Nëse ligji në Kuvend miratohet, VMRO njoftoi bllokimin e të gjitha ligjeve.
“Licencat për kanabis që u lëshuan në vitet e kaluara janë licenca për përpunimin e vajit të kanabisit dhe prodhim final për qëllime mjekësore, por jo edhe për eksport në formë të gjethit të thatë të kanabisit, siç parasheh ky ligj. Mes këtyre licencave është edhe ajo e familjes Zaev. Sekret publik janë dyshimet se licencat për përpunimin e vajit nga kanabisi u lëshuan për 300 deri në 500 mijë euro, para për të cilat dyshojmë se kanë përfunduar vetën më xhepat e familjes Zaev”- deklaroi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Por, sipas kryeministrit Zoran Zaev me shtyrjen e përditshme të këtij ligji, shteti humb para nga ky biznes për buxhetin.
Qeveria planifikon një pjesë të parave të shfrytëzohen për sëmundjet e rralla, për mediat, kulturën, arsimin dhe sportin. Planifikohet edhe formimi i Agjencisë së posaçme për kanabis e cila do jetë kompetente për kontrollimin e këtij biznesi.