Kryeministri takim me Begajn për të vendosur një grua në krye të SHISH
Një grua në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit është propozimi që kryeministri Edi Rama i ka bërë Bajram Begajt, në një takim prej 30 minutash në presidencë.Bëhet fjalë për Vlora Hysenin nga Kosova, e cila ka shërbyer si këshilltare për sigurinë kombëtare e Edi Ramës.
Njoftimin e bëri publik kreu i qeverisë.
“I paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.”
Në 2021, Vlora Hyseni mbante postin e zv.drejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ajo u shkarkua me vendim të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, pa bërë publike arsyet e këtij vendimi.
Aktualisht SHISH, drejtohet nga nëndrejtori Oljan Kanushi, pas dorëheqjes së Helidon Bendos.
Klan News