Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit po i “ngatërron marrëdhëniet institucionale me çorbën e balotazheve komunale”.
Reagimi vjen një ditë para një proteste të paralajmëruar për të kërkuar drejtësi në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, në një proces të stërzgjatur dhe të shumëkritikuar gjyqësor dhe një ditë pasi LVV-ja tha se qeveria shqiptare ka mundësi që këtë çështje “ta ngrejnë në forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë”.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”, shkroi Rama në një postim në X.
Kryeministri shqiptar ka kujtuar se para dhjetë vjetësh, kur LVV-ja thotë se Rama donte themelimin e Gjykatës Speciale, partia e Kurtit “nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë”.
“Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.
Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja… pic.twitter.com/uXCOBsYoCf
— Edi Rama (@ediramaal) October 16, 2025