Gjykata Themelore e Prishtinës ka dhënë vendim tjetër ndëshkimi për Murat Jasharin, i akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj Azem Vllasit.
I shpallur fajtor, ndryshe nga të akuzuarit e tjerë të rastit ”Syri i Popullit”, Murat Jasharit i është dhënë trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vjetësh.
Ai, deri tani ishte nën masën e trajtimit të detyrueshëm në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të dënuar të akuzuarit në rastin Syri i Popullit, ka folur avokatja e Murat Jasharit, Fehmije Gashi – Bytyqi, raporton Televizioni T7.
Para medieve Gashi – Bytyqi tha se edhe ekspertët kanë paraparë që klienti i saj, Murat Jashari, të kthehet në vendin ku jeton, mirëpo gjykata në kundërshtim me ekspertët ka vendosur që ai të trajtohen në Kosovë në Institutin e Psikiatrisë.
“Gjykata aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale që të jetë në institutin e psikiatrisë forenzike, ky vendim bie në kundërshtim me ekspertët zviceranë dhe kosovarë, ata kanë thënë që Murat Jashari të kthehet në vendin ku jeton”, ka deklaruar ajo.
Sot Gjykata ka vendosur që Murat Jashari për 10 vjet të marrë trajtim të detyrueshëm psikiatrik.