Vetëm disa ditë pas publikimit të një lajmi informativ në portalin TS që trajtonte përbërjen e delegacionit të Komunës së Tetovës në SHBA, në krye me kryetarin Bilall Kasami, gazetari i këtij portali, Nevrij Ademi, është thirrur për intervistim në Stacionin Policor të Tetovës.
Lajmi i publikuar, i cili përfshinte një deklaratë publike të kryetarit Kasami mbi rolin e përfolur të personit të njohur si “Dajxha Rakip” në vizitën në SHBA, ngjalli reagime të shumta në opinion. Linku i lajmit: https://tetovasot.com/2025/08/a-i-perfaqeson-tetovaret-djaxha-rakip-ne-amerike-ja-cka-thote-bilall-kasami-video
Sot, rreth orës 13:00, gazetari Ademi është paraqitur në polici pas një denoncimi të bërë nga personi në fjalë, “Dajxha Rakip”, i cili e ka akuzuar për keqpërdorim të të dhënave personale.
Pas një seance dy orëshe marrjeje në pyetje, ku i pranishëm ishte edhe avokati i gazetarit dhe pronari i portalit TS, policia – me urdhër të Prokurorisë – ka kërkuar konfiskimin e pajisjeve elektronike të gazetarit dhe të portalit, me arsyetimin se duhej të vërtetohej nëse profilët në rrjetet sociale janë përdorur në mënyrë legjitime.
Redaksia e portalit TS e konsideron këtë akt si një formë të qartë presioni politik ndaj gazetarisë së lirë, duke theksuar se lajmi i publikuar ishte bazuar ekskluzivisht në deklarata publike të kryetarit të Komunës dhe publikimit të fotografisë së personit me nofkën “Dajxha Rakip”.
Me këtë akt të turpshëm, VLEN-i dhe kryetari Kasami po përpiqen të ndalin raportimin e drejtë dhe të pavarur të portalit TS.
Ngjarja ka nxitur reagime të menjëhershme nga partitë politike opozitare, gazetarë të tjerë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizata të mbrojtjes së të drejtave të mediave, përfshirë Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), të cilët kanë kërkuar respektimin e lirisë së shprehjes dhe mosndërhyrje në punën e medias.