4.9 C
Tetovo
E enjte, 18 Prill, 2024
BallinaLajmeDW / Kosovë-Serbi: Takimi më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë

DW / Kosovë-Serbi: Takimi më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë

Njoftimi për takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë u bë nga i ngarkuari amerikan në dialog Richard Grenell. Prishtina zyrtare thotë, se në Uashington takohen me palën serbe si përfaqësues të dy vende të pavarura.

I ngarkuari special i presidentit të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, deklaroi se udhëheqësit e dy vendeve të Kosovës dhe Serbisë, do të takohen më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Grenell njoftimin për takim e bëri në Twitter dhe nuk dha hollësi të tjera. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti nga ana e tij, konfirmoi se më 2 shtator do të marrë pjesë në takimin e thirrur në Uashington dhe se me palën serbe do të takohen si “dy shtete të pavarura”.

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektivën ekonomike të Kosovës dhe rajonit”, shkroi kryeministri Hoti në profilin e tij në Facebook.

Takimin e paralamëruar Kosovë-Serbi më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë e mirëpriti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk tha nëse do të jetë pjesë e takimit apo jo.

‘’Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, shkroi Thaçi Twitter.

Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, partia e të cilit është në qeveri tha se “Kosovës i duhet roli i SHBA-së për arritjen e marrëveshjes me Serbinë me njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”. Takimin e paralajmëruar Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në Uashington e cilësoi një lajm të mirë edhe Ambasada SHBA-së në Beograd.

“Takimi i liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë do të shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon”, shkroi  ambasada në Twitter.

Më 27 qershor ishte paralajmëruar takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, por ky takim  u anulua pasi Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Hagë, publikoi një akrakuzë të pakonfirmuar për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Ky i fundit që do të merrte pjesë në këtë këtë takim së bashku me kryeminstrin e Kosovës, e anuluan pjesëmarrjen. Tash për tash nuk ka njoftim nëse në këtë takim do të marrë pjesë presidenti Thaçi. Në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ishte parashikuar të bisedohej për  çështje ekonomike, heqjen e barrierave tregtare, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe investimet në infrastrukturën rajonale.

Takimi  i paralajmëruar Kosovë-Serbi më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë  i paraprin vazhdimit të dialogut të Brukselit, që është paralajmëruar se do të vazhdojë nga mesi i shtatorit. Në takimin e 16 korrikut në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, që u ndërmjetësua nga i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajqak, u bisedua për çështjen e të pagjeturve, të të zhvendosurve dhe për çështje ekonomike.

Sidoqoftë, Prishtina zyrtare thotë se ka pranuar rinisjen e dialogut që po zhvillohet tani Kosovë-Serbi,  me qëllimin e vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Serbia nga ana tjetër thotë, se ajo nuk do ta njohë pavarinë e Kosovës, por synon përmirësim marrëdhëniesh me Kosovën. Kosova dhe Serbia kanë emëruar edhe kordinator të dialogut. Kordinatori i Kosovës në dialog është emëruar Skendër Hyseni dhe nga pala serbe është Marko Gjurië. Sipas kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, kordinatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë për detyrë të përgatisin draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë Beogradi e pati kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës  që tashmë është hequr dhe që mundësoi rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments