Në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës është paraqitur kallëzim penal që përfshin dy persona për rrezikim të sigurisë dhe nxitje të veprës penale në tentim vrasjen e Zekirja Shainit. Kallëzimi lidhet me mesazhe kërcënuese të dërguara më parë dhe dyshohet se këta persona kanë rol në incidentin me të shtëna.
“Lidhur me atë ngjarje, sot në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës është paraqitur një kallëzim penal për rrezikim të sigurisë kundër një personi, si dhe për nxitje në kryerjen e atij krimi kundër ish-bashkëshortes së të dëmtuarit. Kallëzimi ka të bëjë me mesazhe dhe kërcënime të dërguara më parë, ndërsa indikacionet për përfshirjen e mundshme të këtyre të dyshuarve, si dhe personave të tjerë në incidentin me të shtëna, ende po verifikohen. Një prokuror publik kompetent po vepron sipas kallëzimeve dhe po ndërmerr veprime”, thonë nga Prokuroria.
Ndërkohë, Zekirja Shaini mohoi se pas kësaj ngjarje është e përfshirë gruaja e tij.
“Tërësisht i hedh pabaza dhe të pavërteta pretendimet se pas këtij akti qëndron zoja ime Arjeta Adili. Andaj urgjentisht kërkojë nga organet hetuese që të sqarojnë situatën rreth zojës time të përfshirë në këtë rast nga ana e tyre, duke respektuar privatësinë tonë familjare, e veçanërisht imazhin e zojës. Ky rast për fat të keq u paraqiten me qëllime të qarta për të diskretituar mua dhe familjen time si dhe të krijojnë konfuzione në terren”, tha Shaini para mediave.
Dy ditë më parë, Policia arrestoi bashkëshorten e Shainit, e cila dyshohet se është e lidhur me këtë ngjarje dhe se mund të ketë pasur rol në organizimin ose nxitjen e tentativës për vrasje ndaj tij.
Shaini u qëllua disa herë nga një person, derisa Shaini ishte në një veturë në lëvizje. Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Kumanovës, dhe më pas në klinikat e Shkupit, ku iu dha ndihma mjekësore.