www.telegrami.mk
Ajo që bie më shumë në sy në gjithë këtë situatë është fakti se ende nuk është paraqitur asnjë draft-dokument konkret për opinionin publik. Studentët protestuan me javë të tëra për një kërkesë elementare – barazi gjuhësore në provimet profesionale – ndërsa tani, pikërisht në ditën kur mbahet protesta në Tirana, del një deklaratë politike “as peshk as mish” nga Izet Mexhiti, duke tentuar të krijojë perceptimin se problemi është zgjidhur.
Por ku është zgjidhja? Ku është dokumenti? Ku janë ndryshimet konkrete? Derisa nuk publikohet asnjë akt, marrëveshje apo vendim zyrtar, deklaratat mbeten vetëm propagandë politike për të zbehur efektin e protestës studentore.
Studentët nuk protestojnë për dekor politik apo për lavde partiake. Ata kërkojnë garanci juridike dhe institucionale. Madje vetë fakti që Izet Mexhiti thotë se “problemi nuk është zgjidhur për 25 vite”, tregon se nuk mjaftojnë konferencat për media, por duhen veprime të shkruara dhe të zbatueshme.
T’u thuash studentëve “mos protestoni, por festoni”, ndërkohë që nuk është bërë publik asnjë draft apo vendim konkret, tingëllon më shumë si përpjekje për të kontrolluar narrativën politike sesa për të garantuar të drejtat e tyre. Në demokraci, protestat nuk ndalen me deklarata, por me transparencë, dokumente dhe zbatim real. Derisa këto mungojnë, studentët kanë të drejtë të dyshojnë dhe të vazhdojnë kërkesën e tyre publikisht… “Situata nuk është më për humor.” Studentët do ju këndojnë ndër Ballkonin Qeveritar prap…
www.telegrami.mk
Mesut Shabani

