Në mesin e kadetëve të diplomuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila u mbajt sot ishte edhe djali i vëllait të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Luani, për të cilin familja u ndje shumë krenar.
Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin nëna e tij Suzana si dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se ceremonia e sotme ishte e denjë për një ushtri pjesëmarrëse në NATO.
Ai i uroi gjeneratën e diplomuar të kadetëve dhe tha se janë jashtëzakonisht të gëzuar për këtë arritje.
“Gjithçka që ishte sot i takon një ushtrie moderne, tamam një ushtrie të NATO-s e gjithë ceremonia. Gjeneratës 2020 shumë urime. Kuptohet sot jemi edhe si familjarë së bashku me Suzanën, sepse diplomoi Luani. Jemi jashtëzakonisht të gëzuar”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, tashmë kadeti i diplomuar i FSK-së, Luan Haradinaj tha se tash është me detyra të reja, dhe plot emocion u shpreh se është krenar.
“Shumë i emocionuar, shumë krenar. Tash jemi në detyra të reja”, tha Luan Haradinaj pas diplomimit.
Gjatë ditës së sotme, diplomuan 15 kadetë të FSK-së, ndër të cilët ishte edhe një e re nga Republika e Shqipërisë, Lirëza Dollomaja e cila mori çmimin për kadet të dalluar.