8.7 C
Tetovo
E diel, 25 Maj, 2025
BallinaOpinionDilaver Goxhaj / KONGRESI I PËRMETIT-KUVEND MBARËKOMBËTAR

Dilaver Goxhaj / KONGRESI I PËRMETIT-KUVEND MBARËKOMBËTAR


Më njëzet e katër Maj, gjith’ Evropa e dëgjoi:
Kongresi i parë filloi, o shokë kush e besoi?
Ky kongres i madh themelet i vuri,
Pushtetin e vjetër nga rrënjët e shkuli.
Popullore

Në fillim të vitit 1944 fronti sovjeto-gjerman mbetej gjithnjë fronti kryesor ku vendosej fati i Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kohë në Evropë nuk kishte front të dytë të vërtetë. Në Itali trupat anglo-amerikane (gjithsej 10 divizione) kishin përballë tyre vetëm 6 përqind të trupave gjermane (9 divizione). Ishte “Ushtria e Kuqe ajo që ia theu shpinën makinës gjermane të luftës dhe aktualisht po i mban shumicën dërrmuese të trupave armike në ballë”, sikundër u shpreh Uinston Çurçilli në Dhomën e Komunave, më 27 shtator 1944,
Në këto kushte ishin krijuar mundësitë për rritjen me shpejtësi të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Si kundërpërgjigje, anglezët ngaqë ishin të bindur se Veriu ishte djepi i monarkisë, vendosën të bënin barikadë për Frontin Nacionalçlirimtar, ngaqë në krye të tij ishin komunistët, PKSH-ja. Për këtë qëllim ata udhëzuan që Legaliteti të bashkohej me Ballin dhe, duke i forcuar me ndihma e propagandë, t’i kundërviheshin Frontit Nacionalçlirimtar.
Paralel, edhe Ahmet Zogu nga ana e tij, pat filluar përpjekjet për krijimin e një qeverie të tij në Londër. Parimisht anglezët nuk kishin ndonjë kundërshtim për ta njohur ish-mbretin si kryetar të ligjshëm të shtetit shqiptar, por nuk e miratuan duke e parë se Zogu nuk gëzonte popullaritet në Shqipëri, por përkundrazi, urrehej, pse e pat tradhëtuar popullin në 7 prill 1939. Qëllimi anglezve ishte që edhe në Shqipëri të realizonin në fund të asaj lufte atë që bënë në Greqi, të futeshim në luftë civile. Prandaj PKSH-ja i parapriu asaj tragjedie kombëtare, prandaj vendosi të thirrej me urgjencë një kongres kombëtar për hedhjen e themeleve të një shteti demokratik-ligjor.
Nga ana tjetër, kryetari i Balit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, i këshilluar nga anglezët, në shkurt 1944 i kërkoi Komandës Aleate të Mesdheut, nëpërmjet oficerit anglez, që ndodhej në qarkun e Vlorës, të dërgonte në Kajro Skënder Muçon “për të diskutuar mundësinë e një Federate Ballkanike”, me shpresë se do të përkrahej nga anglo-amerikanët, njëkohësisht për të siguruar “ndihma të menjëhershme”.
Por anglezët nuk kthyen përgjigje as po e as jo, pasi kishin hallin se diskreditoheshin, por intensifikuan çdo ditë e më shumë propagandimin sa më pozitiv për Legalitetin dhe Ballin përmes BBC-së, të cilën u detyruan ta ndërprisnin në fund të qershorit 1944, kur Balli dhe Legaliteti ishin diskredituar si pararojë e nazistve.
Njëkohësishtë, kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, për të realizuar sa më shpejt asgjësimin e UNÇSH, në fillim të muajit prill 1944 filloi nga përpjekja për t’u lidhur me reaksionin grek. Qëllimi ishte që, me forca të bashkuara të armatosura të të dy vendeve të shkatërronin LANÇ-in në Shqipëri dhe Greqi. Madje propozuan që të krijonin edhe një federatë greko-shqiptare, duke shprehur dëshirën që të përfshihej edhe Turqia. Dhe për ta realizuar sa më shpejt krijimin e federatës greko-shqiptare krijuan një komision të përbërë me përfaqësues të Ballit, të qeverisë kuislinge dhe të Legalitetit. Dhe në fillim të prillit 1944 filluan bisedimet në Selanik.
Por ajo që e bënte situatën politike në Shqipëri edhe më të rrezikshme për pavarësimin e saj, ishte nisma e të gjithë kuislingve dhe organizatave tradhëtare për të nëshkruar një akord me qeverinë greke në Kajro, përmes të cilit t’i jepnin Greqisë të ashtuquajturin Vorio-Epir, duke e futur vendin tonë në suazën e mbretërisë greke, me të drejta “autonome”.
Por Nacionalçlirimtaria i kapi qysh në fillesa përpjekjet e tyre, gjë që ajo orvatje dështoi. Dhe këtë dështim e pranon vetë edhe gazeta “Vradhini”, që botohej në Athinë, e cila shkruante: “Partia Komuniste e Shqipërisë u bë shkak për mosrealizimin e një marrëveshje që ishte projektuar ndërmjet Shqipërisë e Greqisë, e cila do të zgjidhte definitivisht çështjen e aneksimit me Greqinë të Vorio-Epirit në suazën e një federate, ku Shqipëria do të gëzonte një autonomi duke qenë e bashkuar me Greqinë”.
Madje regjenti Mehdi Frashëri hartoi dhe shpalli me bujë një “reformë agrare” për të gënjyer masat fshatare.
Në këto kushte delte urgjentisht e nevojshme të ndryshohej gjendja më favor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Frontit Nacionalçlirimtar. Dhe kjo duhej të arrihej duke marrë masa të reja politike dhe ushtarake.
Kështu, më 5 prill 1944, në kohën kur pushtuesit hitlerianë hartonin planet për një operacion të ri të madh kundër Ushtrisë Nacional-çlirimtare, Shtabi i Përgjithshëm lëshoi një urdhër-dite drejtuar gjithë forcave partizane për t’u hedhur në mësymje të përgjithshme.
Repartet partizane kaluan kudo në mësymje: Br.1S çliroi krahinat Verçës, Quksit, Bërzhestës, Shpatit, dhe bashkë me Br.IVS çliruan Pogradecin.
Br.V dh e VI bashkë me forcat e Zonës parë Operative spastruan krjet krahinën e Himarës e të Mallakastrës dhe dëmtuan rëndë forcat gjermane dhe bandat balliste në afërsi të Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Delvinës, Sarandës, Konispolit si dhe gjatë rrugëve që lidhnin Shqipërinë me Greqinë. Një varg ndeshjesh me armiqtë u zhvilluan në Pezë e në krahinat e tjera të Shqipërisë së Mesme.
Repartet partizane të Korçës zhvilluan luftime në qytetin e Korçës, Bilisht, Ersekë si dhe gjatë rrugës Follorinë-Korçë-Janinë. Br.VIIS zhvilloi një varg luftimesh kundër armiqve në Berat e Kuçovë.
UNÇ Shqiptare gjatë përballimit të Operacionit të Dimrit, (6 nëntor 1943 – 31 mars 1944), ishte rritur edhe me 35.000 luftëtarë të rinj, të cilët ishin inkuadruar në 6 brigada të reja partizane (Brigada II, III, IV, V, VI, VII), si dhe ishin krijuar 4 batalione të rinj, duke e detyruar armikun të mbyllej në qytete. Kështu që, gjatë muajve prill-maj 1944 u çliruan gati të gjitha krahinat në Jug të Shqipërisë, përjashtuar qytetet, dhe u krijuan edhe 2 brigada të reja partizane, (e VIII dhe e XII), ndërsa në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut u gjallërua edhe më shumë.
Në këto kushte Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me propozim të udhëheqjes së PKSH, më 15 prill 1944, në Helmës të Skraparit, u vendos thirrja e Kongresit të Përmetit për datën 24 Maj 1944.
Anglezët, duke e parë se UNÇSH po rritej dhe fuqizohej çdo ditë, në prill 1944, me porosi të Çurçillit, dërguan me nxitim pranë kryetarit të Legalitetit, Abaz Kupi, një mision të ri ushtarak me në krye nënkolonelin Bill Maklinin dhe majori Xhulian Emeri, kapiten David Smajli, dy togerë, dy kapterë dhe dy radistë, me shpresën që Lufta Nacionalçlirimtare të mos zhvillohej në Veri në ato përmasa që kishte marrë në Jug, me synimin që Shqipëria të ndahej në dy minishtete: në Toskëri dhe Gegëri. Për këtë qëllim patën urdhëruar edhe kryetarin e misionit të tyre ushtarak në Shqipëri, majorit Palmer, që të mos e pranonte ftesën e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit; gjë që anëtarët e misionit amerikan bënë të kundërtën.
Para së gjithash duhet theksuar dhe bërë e qartë, se Kongresi i Përmetit është një prej kuvendeve më të mëdhenj të mbarë kombëtar shqiptar. duke u nisur nga fakti se një ndër ftesat e para, në emër të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, qe edhe ajo që iu dërgua Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Por që nuk u shpjegua kurrë prej tyre mosardhia në atë kuvend.
Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e bëri atë ftesë, me propozim të PKSH-së, duke ditur qëndrimin e Kominternit (Internacionales Komuniste), i cili prej vitit 1926 ishte shprehur që: Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë. Por, sikundër e shpjegon politikani filozof Ukshin Hoti, të ftuarit kosovarë nuk duhet të kenë ardhur në Kongres të Përmetit ndoshta se duhet t’i jenë bindur vendimit të Kongresit V të LKJ, i vitit 1941, i cili kishte vendosur që, Shqipëria t’i bashkohej Kosovës për zgjerimin e Jugosllavisë dhe të Sërbisë, dhe jo Kosova Shqipërisë. Qëllimi i LKJ-së: Që të mos ekzistonte më shtet shqiptar. Dhe më tej Ukshin Hoti vijon: “Legaliteti dhe Balli Kombëtar, flisnin, por edhe shkruanin, se me dëshirë do t’i hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil Hoxhës. Ata mendonin e mendojnë se këta kanë qenë fajtorë për mos bashkimin e Kosovës me Shqipërinë menjëherë pas lufte. Ata nuk i përgjigjen dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria sesa Kosova apo dhe Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e autorëve tanë ndaj këtyre pyetjeve që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë fajësojnë ish-regjimin komunist në Shqipëi, sipas logjikës së shtetësisë: “ata ishin shtet dhe jo ne.” Nuk është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv, edhe pse e dinin, si qëndrimin e Kominternës prej vitit 1926 edhe vendimin e Kongresit V LKJ.”(U.Hoti,“Filozofia politike e çështjes shqiptare”,f.189-190).
Sikundër shihet, kjo ftesë dërguar Kosovës është një shuplakë tjetër e fortë ndaj propagandës së kolaboracionistëve, ballistve dhe zogistve kundër PKSH dhe Enver Hoxhës.
Prandaj kemi të drejtë të themi se: Kongresi i Përmetit ka të njëjtën rëndësi kombëtare sa dhe Kuvendi i Vlorës 1912, duke pasur parasysh jo vetëm atë ftesë dërguar Kosovës, por edhe kushtet politiko-ushtarake të kohës, mënyrën e organizmit të atij Kongresi, pjemarrësit në të, si dhe shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë.
Për të sabotuar Kongresin e Përmetit, kryekolaboracionisti Mit’hat Frashëri, më 10 maj 1944, i nisi letër përfaqësuesit të Ballit në Selanik, Dhimitër Fallos, ku vinte në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet Gjermanisë, Ballit Kombëtar, Zogistave, Bazit të Canes dhe reaksionarëve të Kosovës, ku secili prej tyre kishin dërguar delegatët e tyre për të lidhur miqësi dhe aleanca me reaksionarët grekë si Ralis dhe Zerva, ku shprehën gatishmërinë të nëshkruanin një akord me qeverinë greke në Kajro, t’i jepnin Greqisë të ashtuquajturën Vorio-Epir dhe ta fusnin vëndin tonë në suazën e mbretërisë greke, me të drejtën e “autonomisë”. (shih “Zhvillimet politke në periudhën e LANC”, autor Pr.Dr.Shyqyri Ballvora, Dituria, 2004,f.436-437).
Ndërkohë Partia Demokratike dhe ajo Socialiste u kanë ngritur monumente Ahmet Zogut, mbretëreshës Geraldinë, si dhe Mit’hat Frashërit(!), ndërkohë kanë rrëzuar të gjithë monumentet e Heronjve të Popullit të dalë nga LANÇ, përfshi edhe eleminimin e gjithë muzeumeve për Luftën Nacionalçlirimtare, si dhe asnjë lloj përkujdesje për varrezat e dëshmorëve; ndërkohë që kanë lejuar ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë që bënë krime në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, që nesër Grerqia t’i përdori si piramida ndërshtetërore, kur dihet që ka pretendime territoriale.
* * *.
Mund të dalë kush e të na pyesë: Pse e barazoni rëndësinë e Kongresit të Përmetit me Kuvendin e Vlorës, apo pse ai Kongres u organizua me këmbënguljen e PKSH?
Dhe me këtë “argument” antikomunist, kolaboracionstët tanë të vjetër e të rinj, të të gjitha ngjyrave, duan ta përdorin si justifikim se pse në këta 34 vite “demokratikë” nuk denjojnë të nderojnë përvjetorët e brigadave partizane, as datat për çlirimin e qyteteve nga pushtuesit nazifashistë; as festimin e Ditës së çlirimit, 29 Nëntorin; prandaj janë ngritur “bunker-artet” dhe “shtëpitë e torturave me gjethe”, për një central përgjimesh telefonike; prandaj e kthyen në skrap gjithë armatimin e Ushtrisë Popullore; prandaj kanë eleminuar çdo gjurmë të SHP të UNÇSH; prandaj është zhdukur nga arkivat Arti Ushtarak i Luftës Popullore i vitit 1974, etj.
Me këto lloj prapavijash politike synohet ndarja e Shqipërisë në dy minishtete, në Toskëri e Gegëri, (dukuri e shfaqur edhe në votimet parlamentare, 2025), përveç tendencës për inicimin e luftës civile veri-jug gjatë vitit 1997.
Ngjashëm sikundër tentuan anglezët në pranverën e vitit 1944, ishte edhe shpallja e Tepelenës “Kamp Aushvic”, (në prill të vitit 2018), ngaqë atje u internuan një pjesë e familjeve nga Veriu që kishin pjestarë në 12-mijë bandat kriminele divirsante ose prej grupeve të 2.500 kriminelëve të luftës, (të arratisur në malet veriore), gjatë luftës 10-vjeçare kundër intervencionit të huaj, (Nëntor 1944-Dhjetor 1953), me qëllim që ato banda të mos kishin mbështetje për kryerjen e vrasjeve në popull dhe djegie të shkollave e institucioneve shtetërore. (Shih. “Kur shkatërrimi vërsulej mbi mjerimin”, Tiranë, 2025).
Me të drejtë kujtdo i lind pyetja: Pse u shpall vetëm Tepelena “Kamp Aushvc”, ndërkohë që ai kamp nuk ishte thjesht kamp izolimi, por ishte kamp pune si dhe shkollimi, ku u internuan familjet e diversantëve dh të grupeve kriminele nga Veriu, me trajtim të njëllojt si gjithë qytetarët e atij qyteti, pa gjerdhe, që u krijuan edhe në kalanë e Beratit si dhe të Krujës. Prandaj me të drejtë reagoi ashpër poeti brilant Arben Duka me vargjet:

Një ditë prej ditësh doli në një ekran një zagar,
dhe Kampin e Tepelenës e pagëzoi:”Aushvici Shqiptar”!
Ai kot më se koti, s’do të delte kurrën e kurrës,
po kish marrë fondet, nga Ministrja idiote e kulturës!
Nga Kumbarua kish marrë bekimin, ajo shpurë me psikopatë,

po dhe ajo kish marrë pëlqimin e Shefit të saj të Gjatë!

Në kampin e Krujës u internuan kryesisht familjet e diversantëve nga Jugu, kur dihet që një pjesë e diversantve ishin ish-ushtarë të Ballit Kombëtar, dhe në Berat ata të Legalitetit. Kjo masë paraprake mbrojtëse u muar nga Qeveria e kryesuar nga Enver Hoxhasi si masë sigurie, duke shfrytëzuar përvojën e SHBA, filluar në shkurt të vitit 1942 deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, duke izoluar “120.000 shtetas të vetë me origjinë japoneze e gjermane, të lindur në SHBA, në 10 kampe internimi, madje, të rrethuan edhe me tela me gjëmba, e njohur me emërin: akti i intolerancës. Dhe vetëm më 1983, qeveria e SHBA pranoi publikisht padrejtësinë lidhur me internimin.”(Shih “Historia e SHBA”, Tiranë, 2010, f.379-380).
Duke u shpallur vetëm Tepelena “Kamp Aushvic”, ndërkohë që “kamp” i tillë u ngrit edhe në Berat e Krujë, natyrshëm na jepet e drejta të dyshojmë se qëllimi i këtij vendimi qeveritar ka qenë për t’i thënë popullit të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut: “Urrejeni jugun e Shqipërisë, veçanërisht Labërinë!” Ky përfundim lind edhe për vetë faktin se qarqet shoviniste greke janë shprehur shpesh herë, me gojën e kryeministrave të tyre: “Shqipëri le të ketë, por Labëri të mos ketë!”
Nuk është rastësi që shpallja e Tepelenës “kamp Aushvic”, ndërkoh që nuk nderohen dëshmorët, nuk festohen përvjetorët e Kosongresit të Përmetit, edhe pse 24 maji 1944 ka hyrë në histori si dita e lindjes së shtetit të ri demokratik popullor në Shqipëri. Këtë mosnderim të kësaj date historike Kryeministri Rama e shpjegoi para 6 viteve, në Ditën e Dëshmorëve, më 5 maj 2019, në drekën e shtruar nga vetë ai për veteranët: “Nuk e ndryshoj qëndrimin ndaj Mit’hat Frashërit”; “Historia ndahet në dy periudha, para dhe pas 29 nëntorit 1944”, duke mos pëlqyer asnjë nga këto dy periudha; si dhe “Nuk i besoj historisë që kanë shkruar fitimtarët.” Madje, z.Rama e ka përsëritur nderimin e tij ndaj kryekolaboracionistit: “Nuk e ndryshoj qëndrimin ndaj Mit’hat Frashërit”.(https://shqiptarja.com›lajm›rama-poston-thenien-e-17/06/2021); prandaj dhe thotë: “Nuk e besoj historinë e fitimtarëve.” Besoj se cilido në Shqipëri e merr vesh pse nuk nderohet nga PS-ja dhe PD-ja Kongresi i Përmetit si dhe përvjetorët e çlirimit të Shqipërisë.
* * *
Nëse deri në vitin 2013, PS-ja mbante një qëndrim as mish as peshk për vlerat dhe heronjtë e LANÇ-it, dhe heshtte kur PD-ja i anatemonte ata dhe vetë LANÇ-in, shumëkush mendonte se PS-ja vepronte kështu ngaqë ngatëronte luftën me pasluftën. Por jo. Pas rimarrjes së pushtetit më 2013, PS-ja me veprimet e saj ka treguar se po ecën në vijim të idesë së hershme të kryetarit të saj, e shkruar në librin e tij “Refleksione”, viti 1991, (f.180-181): “Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë.” Duke qenë se z.Rama ka këtë bindje, si dhe Berisha dhe gjithë udhëheqja e PD-së, të Ballit e të Legalitetit, prandaj janë shpallur pothuajse të gjithë heronjtë e popullit, përfshi dhe Enver Hoxhën, tradhëtarë e terroristë! Mos vallë këto qëndrime pse ata kanë qenë në krye të formacioneve partizane dhe që dëbuan nazi-fashizmin nga Shqipëria dhe i ri-kthyen asaj pavarësinë?! Natyrisht, për këtë arsye duhet të jetë marrë edhe vendimi për krijimin e “Instituti i krimeve të komunizmit në Shqipëri, 1944-1990”, se nuk ka mundësi se si të shpjegohet ndryshe. Po ashtu, edhe Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave, në vitin 2021, me angazhimin e 46 studjuesve nga Tirana, Prishtina, Tetova e Diaspora promovuan vëllimin V të “Historisë së Shqipërisë gjatë shekullit XX”, duke e shpallur Luftën Nacionalçlirimtare “luftë civile”! (Shih: gazeta “Zëri”, 30 tetor 2023). Prandaj dhe janë njohur ligjërisht dhe financohen dy Organizata Veteranësh, (OV-LANÇ dhe OBVL), për të na bindur se gjoja gjatë viteve 1939-1944 kemi pas dy ushtri që luftonin mes veti për pushtet, dhe jo se luftohej për t’u çliruar nga pushtuesit nazi-fashistë!
* * *
Pas Kongresit të Përmetit UNÇSH filloi nga lufta për çlirimin e qyteteve. Atëherë dhe armiku, ditën që mbaroi Kongresi i Përmetit, më 28 maj 1944, filloi operacionin e Qershorit 1944, për eleminimin e UNÇSH, duke mundur të futeshin në pjesën më të madhe të bazave partizane në Shqipërinë e Jugut. Por nuk mundën të qëndronin aty veçve një kohë të shkurtër, pasi më 14 Qershor Komandanti i Përgjithshëm lëshoi një urdhër-dite drejtuar gjithë Forcave të UNÇSH për t’u hedhur në Kundërmësymje. Në këtë mënyrë Operacioni Armik i Qershorit, sikundër ai i Dimrit, dështoi krejt me krijimin e Divizionit II Sulmues, në gusht 1944.
* * *
Cilat ishin masa urgjente që mori Kongresi i Përmetit?
1.Shndërrimi i ushtrisë partizane në ushtri të rregullt dhe të bëhej çlirimi i gjithë vendit sa më shpejt me forcat tona.
2.Të bëhej legjitimimi i pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare në zonat e çliruara e të paçliruara dhe forcimi i tyre, duke i paraprirë krijimit të ndonjë qeverie tjetër antikombëtare brenda apo jashtë vendit.
Me realizimin e këtyre dy detyrave më të rëndësishme, Shqipëria rifitonte pavarësinë, të humbur prej 7 prillit 1939. Por që të realizoheshin këto detyra duhej krijimi i strukturave shtetërore të ligjshme, të zgjedhura nga populli që të ishin të pranueshme edhe nga aleatët. Për këtë lypej një kuvend i zgjedhur nga populli. Për këto çështje fondamentale Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me propozim të PKSH, u thirr kjo Asamble Popullore, që njihet me emërin Kongresi i Përmetit. Ky kongres përcaktoi legjitimitetin e Këshillave Nacionalçlirimtare, si i vetmi pushtet i ligjshëm i popullit shqiptar; rikrijoi shtetin sovran e të pavarur me qeverinë e vetë demokratike; si dhe e shndërroi ushtrinë partizane në ushtri të rregullt. Nga kjo Asamble doli Kuvendi Popullor, të cilin Kongresi i Përmetit e quajti Këshilli Nacionalçlirimtar, dhe që ishte Kuvendi i parë Popullor në Shqipëri.
Nga ky Kuvend Popullor do të krijohej Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e Qeverisë së Përkohëshme, e cila është qeveria e parë demokratike e Shqipërisë.
Në Kongresin e Përmetit morën pjesë përfaqësues nga këshillat nacionalçirimtare, (si prej zonave të çliruara edhe nga ato të paçliruara), nga Bashkimi i Rinisë Antifashiste, nga Bashkimi i Gruas Antifashiste dhe nga Ushtria Nacinalçirimtare, ku 40% e delegatëve vinin prej rradhëve të partizanëve.
Krahas rëndësive të tjera, vlen të theksohet, se për herë të parë në historinë e Shqipërisë gratë marrin pjesë në votime për zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit, madje do të zgjidheshin edhe vetë për herë të parë si përfaqësuese të popullit; ndërkohë që në SHBA gratë e fituan këtë të drejtë në vitin 1964. (shih “Historiae SHBA”, Tiranë, 2010, f.450).
Gjithashtu, për herë të parë përfaqësuesit e popullit nuk do të zgjidheshin në bazë të shkallës fisnore dhe pasurisë, sikundër bëhej në periudhën e Zogut e që bëhet edhe sot, por në bazë të meritave të luftës kundër armiqve të atdheut.
Kongresi i zhvilloi punimet në qytetin e lirë të Përmetit, në datat 24-28 maj 1944, i cili, përveç që sanksionoi përfundimisht pavarësinë e Shqipërisë, i parapriu edhe mos krijimit të ndonjë qeverie tjetër antikombëtare me ndihmën e të huajve apo reaksionit antishqiptar.
Kongresi i Përmetit, duke u nisur nga gjendja politike e brendshme dhe ndërkombëtare, nuk e shpalli Shqipërinë “Republikë Popullore” ose ndonjë formë tjetër regjimi. Ai kongres iu përmbajt platformës politike të Konferencës së Pezës, sipas së cilës forma e regjimit do të vendosej nga populli pas çlirimit të vendit. Dhe nuk është ashtu sikundër shkruan z.Edi Rama, te libri i tij i vitit 1991, (f.184-185): “Për ata që mund ta kenë harruar historinë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me referendum pas lufte. Kongresi i Përmetit, me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike të përcaktuar në Konferencën e Pezës”.
Kujtojmë se Kongresi i Përmetit u mbajt kur ende edhe Shqipëria e Jugut nuk ishte çliruar plotësisht, e jo më e gjithë Shqipëria. Shqipëria u çlirua më 29 Nëntor 1944, kur iku edhe ushtari i fundit gjerman, bashke me kolaboracionistët që erdhën më pas diversantë nga toka, deti dhe ajri, deri në fund të vitit 1953, të cilët na vranë 1.479 ushtarë, oficerë, arsimtarë e nëpunës, si dhe invalidizuan 339 të tjerë. Nga ajo armatë kriminele gati 50-mijëshe, gjatë asaj lufte 10-vjeçare u vranë 1.452 banditë, u kapën të gjallë 1.523 dhe u vetëdorëzuan 1.617 vetë.
Ndërsa në Konferencën e Pezës u vendos që çështja e regjimit t’i lihej në dorë vetë popullit shqiptar, por pasi të ishte çliruar përfundimisht. Prandaj, më 2 dhjetor 1945 u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare dhe ajo e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore më 11 Janar 1946.
* * *
Edhe pas Kongresit të Përmetit anglezët nuk hoqën dorë për ndarjen e Shqipërisë veri dhe jug. Ata, duke parë se ditën e fundit të Kongresit të Përmetit, më 28 maj 1944, u dha urdhëri për krijimin e Divizionit I Sulmues dhe kalimi i tij në mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, anglezët, nëpërmjet Komandës Aleate të Mesdheut i bënë presion SHP të UNÇSH, për mos kalimin në Veri, “ndryshe do të ndërpriteshin ndihmat”. Por mësymja vijoi. Ndërkohë, më 5 tetor 1944 forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare kaluan kufirin shtetëror të Shqipërisë me Kosovën, në Dukagjin dhe në afërsi të Prizrenit, të pasuara pas disa ditësh nga kalimi i Divizionit VI e të V, 20 mijë partizanë.
Atëherë, më 9 tetor 1944, kur anglezët e panë se forcat po afroheshin jo vetëm për çlirimin e Tiranës por edhe të Kosovës, ata, nëpërmjet majorit të tyre Palmer pranë SHP, (i ndodhur në Odriçan), kërkuan që të hidhnin desant ajror “në rajonin Pezë, Ishëm e Darsi”, (bregu jugor i lumit Shkumbin). Por edhe kjo kërkesë u refuzua nga SHP i UNÇSH.
* * *
Në fillim të viteve ’90, kur ishte shembur shteti shqiptar socialist, ndarjen e Shqipërisë në Gegëri e Toskëri e mori përsipër Sali Berisha, i cili u përpoq ta realizonte në vitin 1997, por ishte populli ai që ia bëri të pamundur, dhe jo PS-ja.
Megjithatë, nga ajo ide anglezët nuk hoqën dorë. Këtë gjë na e dëshmon ish-ministri ynë i Punëve të Jashtme, z. Paskal Milo në librin e tij “Ditari i një ministri të Jashtëm”, 2009, f.265-266: “9 nëntor 1999. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Piter Xheineri, sot erdhi në zyrën time. Më solli mesazhin përshëndetës të R. Kuk, për emërimin tim të tretë si ministër i Jashtëm. Letra ishte e ngrohtë dhe vlerësuese për qeverinë. Por qëllimi kryesor për të cilin kishte ardhur ambasadori ishte tjetër. Ai kishte marrë nga drejtori politik në Forien Ofis, Çarls Krauford, një informacion, që më habiti. Në një takim jozyrtar me ekspertë ballkanikë, që kryesohej nga Karl Bild, ish-kryeministri konservator i Suedisë, ku Kraufordi kishte qenë i pranishëm, ishte diskutuar ideja e një “Kosove të Madhe”, e cila do të përfshinte vetë territorin e Kosovës, por edhe Shqipërinë e Veriut e Maqedoninë Perëndimore….”. Vini re: vënia në jetë e këtij plani antokombëtar aktivizohet 4 muaj pasi ka mbaruar lufta në Kosovë! Por, me sa dimë, kjo ide nuk u pranua të shtrohej për diskutim.
Tiranë, 23 Maj 2025

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments