Ndërsa shkon në 70 numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë, me 6 raste të reja 24 orët e fundit, ministria e Shëndetësisë bën me dije se në spitalin Infektiv ndodhen 35 pacientë të shtruar.“3 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”.
Ndërokohë po vijohet me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.
Nga ana tjetër, Mira Rakacolli, zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor.
“Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital!
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.
Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik I urgjencës kombëtare 127!
Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre që të mos preken nga COVID-19 dhe të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë”.