Skafandra, maska, doreza dhe distancë prej 2 metrash. A do të dalin qytetarët në këto kushte për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Sipas dekretit të ri të Qeverisë, qytetarët detyrimisht duhet të mbajnë maska për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit. Siç janë paralajmërimet, masa të caktuara, mes të cilave edhe distanca sociale, do të vlejnë deri në fund të vitit. Por, si do të dukeshin zgjedhjet në qoftë se mbahen në verë ose më së voni në shtator?
I pari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkovski, për TV21 thotë se vendimin nëse do të ketë zgjedhje dhe kur, është në duart e autoriteteve shëndetësore.
“Ne si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve jemi të gatshëm të organizojmë zgjedhje, megjithatë t’i organizojmë në atmosferë dhe kushte normale”, thotë Oliver Derkovski Kryetar i KSHZ-së.
Derkovski thotë se organizimi i zgjedhjeve në këto kushte dhe me protokolle të posaçme, nënkupton krijim të kushteve nga ana e shtetit dhe ulje të përqindjes së daljes së votuesve.
“Koha kur një votues do të duhet ta realizojë të drejtën e tij të votës, automatikisht do të prolongohet, duke i pasur parasysh të gjitha procedurat e nevojshme për kontroll të votuesit, për heqjen e dorezave, për spërkatje me sprej, për kontroll të UV llambës, dezinfektim të vendvotimit… Kjo do të thotë se për tërë ditën e zgjedhjeve, probabiliteti që shumë qytetarë të dalin dhe të votojnë është shumë i vogël”, thotë Oliver derkovski Kryetar i KSHZ-së.
Sekretari gjeneral i LSDM-së, Lupço Nikollovski tashmë doli me qëndrim se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare detyrimisht votuesit do të duhet të kenë maska dhe të mbajnë distancë prej 2 metrash.