Deklarohet Trump / Lë mundësinë që Grenell të merret veç me dialogun Kosovë-Serbi

219

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar të dielen se është në kërkim të një ambasadori të ri në Gjermani, pasi që Richard Grenell është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës amerikane.

“Do ta emëroj një ambasador në Gjermani”, iu ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një udhëtim në Indi, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Krahas të qenit ambasador në Gjermani, Grenelli kohë më parë ishte emëruar prej Trumpit i dërguar i posaçëm i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i kishte thënë Reutersit gjatë javës së kaluar se Grenelli mund të mbetej ambasador, me gjithë se është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës, duke e pasur përsipër mbikëqyrjen e komunitetit amerikan të inteligjencës, të përbërë prej shtatëmbëdhjetë agjencive.

Është e paqartë se për sa kohë do të shërbejë Grenelli si shef i inteligjencës amerikane. Trumpi ka deklaruar të dielen se ai ka në mendje pesë kandidatë për këtë pozitë, njëri prej të cilëve do të bëhej drejtor i përhershëm.

“Në një të ardhme jo edhe aq të largët, do t’i bëjmë të ditur emrat e këtyre kandidatëve”, ka thënë Trumpi.

Kjo lë mundësinë që z.Grenell në një të ardhme shumë të afërt të jetë vetëm emisar i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, në mënyrë që të merret më intenzivisht me të.