2.6 C
Tetovo
E shtunë, 20 Prill, 2024
BallinaLajmeData e zgjedhjeve, peng i pandemisë në Maqedoninë e Veriut

Data e zgjedhjeve, peng i pandemisë në Maqedoninë e Veriut

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut thonë se nyja e mosmarrëveshjeve sa i përket aktivizimit të parlamentit tashmë të shpërbërë mund të zgjidhet në takimin e krerëve të partive politike kryesore që pritet të mbahet mes datës 10 deri 12 maj.

Në këtë takim, pasi të verifikohet gjendja me pandeminë e koronavirusit nga ana e autoriteteve të shëndetësisë, gjithashtu do të dihet nëse do të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme e cila mbaron më 16 maj apo do të fillojnë të rrjedhin afatet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë që të gjitha partitë në vazhdimësi kanë theksuar se prioritet kanë shëndetin e qytetarëve dhe se për datën e zgjedhjeve do të vendosin pasi autoritetet shëndetësore të konstatojnë se gjendja me koronavirusin është vënë nën kontroll.

Në këtë drejtim, ministri i Shëndetësisë ka theksuar se data e zgjedhjeve do të caktohet në momentin që Komisioni për Sëmundje Infektive do të konstatojë se shëndeti i qytetarëve është i sigurt.

Por, ekspertët politikë në Maqedoninë e Veriut thonë se zgjedhjet duhet mbajtur sa më shpejtë të jetë e mundur përkatësisht në momentin e parë që do të krijohen kushte në aspektin e sigurisë për shëndetin e qytetarëve, pasi vendit tani më shumë se kurdoherë i duhet një qeveri stabile e cila do të ketë mandat për të menaxhuar pasojat nga koronavirusi, dhe përballjen me një valë të re të infeksioneve me këtë virus që eventualisht mund të ndodh në vjeshtë.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, konsideron se Maqedonia e Veriut duhet të futët në zgjedhje sapo këtë ta mundësojnë kushtet shëndetësore sa i përket menaxhimit të koronavirusit.

“Maqedonia për momentin ballafaqohet me dy situata problematike. Njëra është mosfunksionaliteti i parlamentit dhe qeveria e pakompletuar, pasi për momentin kemi qeveri teknike dhe parlament të shpërbërë dhe paralelisht me këtë kemi krizën më të madhe në historinë e shteti përballet me koronavirusin, kështu që në momentin e parë që do të jetë e mundur njëri nga këto dy probleme duhet zgjidhur, konstituimi i parlamentit dhe formimi i një qeverie stabile”.

“Kjo duhet bërë sepse në mandatin e ardhshëm qeveria e re do ta ketë të patjetërsueshme të ballafaqohet me menaxhimin e pasojave nga kriza e koronavirusit dhe për këtë i duhet mandat i pastër dhe qeveri stabile vendit”, thotë Arsovski.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se arrihet të vendoset nën kontroll e koronavirusi, që sipas parashikimeve kjo pritet të ndodh në fund të majit përkatësisht në fillim të qershorit vendi duhet të përgatitet të shkoj në zgjedhje me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Me mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, në një afat prej 23 ditësh duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në përputhje me ujdinë që arritën liderët e partive politike”.

“Unë nuk shoh ndonjë shkak më të madh që duhet ngritur debat rreth kësaj cështje. Të gjitha paralajmërimet janë se në vjeshtë do të përballemi serish me një valë të re të pandemisë, institucionet e kanë shumë vështirë të funksionojnë në gjendje kur kemi parlament të shpërbëre dhe qeveri teknike”, thotë Musliu.

Ndryshe, të gjitha partitë politike në takimin që kishin tek presidenti i shtetit u dakorduan se “aktivitetet zgjedhore do të vazhdojnë nga dita e përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme” .

Përderisa, me shumë të panjohura mbetet data e mbajtjes së zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese gjatë javës së ardhshme pritet të shqyrtojë arsyeshmërinë e shpërndarjes së institucionit ligjvënës në Maqedoninë e Veriut.

Gjykata Kushtetuese, siç theksojnë ekspertët juridik, duhet të vendos nëse është realizuar qëllimi për shpërndarjen e kuvendit, përkatësisht realizimi I zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Bashkim Selmani njohës I çështjeve juridike për Radion Evropa e lirë thotë se nëse partitë janë për të shkuar në zgjedhje atëherë s`ka nevojë për riaktivizimin e institucionit ligjvënës.

“Gjykata Kushtetuese ka shumë hapësire për të sjellë vendime të arsyeshme. Nëse do të kthehet gjendja normale , para nuk vazhdohet me gjendjen e jashtëzakonshme atëherë duhet të shkohet në zgjedhje nuk ka hapësire për të diskutuar për prolongim të procesit zgjedhorë” thotë Selmani.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin caktuar të mbahen më 12 prill, por ato u prolonguan për shkak të pandemisë së koronavirusit./rel/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments