12.2 C
Tetovo
E shtunë, 18 Maj, 2024
BallinaLajmeÇ’ne kryqi jashtë kishës te Kodra e Diellit, o Bilall Kasami?!

Ç’ne kryqi jashtë kishës te Kodra e Diellit, o Bilall Kasami?!

Marrëveshjen për Kryqin si duket Kasami nuk e ka mbajtur fshehur nga votuesit që i kanë besuar, por edhe nga bashkëpartiakët e vet, që tregon se deri në ç’shkallë shkon logjika e errët e një klarrieristi të verbër për pushtet…

Shkruan: indeks.mk

Kryqi simbolizon përkatësinë fetare të krishterë, kurse shqiptarët janë popull me shumicë myslimane dhe me përqindje të konsiderueshme të krishterëve ortodoksë dhe katolikë. Mirëpo, këto dallime fetare nuk kanë qenë shkaktar ndasish, përkundrazi, në Ballkan dhe më gjerë, njihemi pikërisht për tolerancën dhe unitetin kombëtar. Nga ky këndvështrim, nuk ka pse të na pengojë kryqi të cilit i përkulen dhe i kryejnë predikimet e tyre vëllezërit tonë të gjakut. Kryqi nuk na pengon as kur besimtarët janë të përkatësive tjera etnike.

Por, në gjithçka ka një rend normal të gjërave. Të krishterëve nuk duhet t’iu pengojë fakti që myslimanët falen në xhamitë e tyre, e as myslimanëve u pengon që të krishterët përkulen në kishë. Po a keni parë minare jashtë xhamisë? Nuk ka.

Për fat të keq, ka kryqe jashtë kishave!

Në Rio de Zhaneiro është një kryq gjigant, si atraksion turistik që tërheq vëmendjen. Edhe në Vodnon tonë, u ndërtua një kryq me rastin e 2000-vjetorit të kryqëzimit të Jezu Krishtit, për të cilin para ndau Qeveria dhe atëherë kjo u shpjegua si një akt civilizues dhe e pagëzuan Kryqi i Mileniumit. Mirëpo, një kryqomani kaploi do subjekte, të cilat disa beteja politike deshën t’i realizojnë përmes vendosjes së kryqeve ku e kanë e ku s’e kanë vendin. Një i tillë është sot në komunën e Aerodromit. Iniciator për ndërtimin e tij ka qenë Kongresi Gjithëmaqedonas Botëror udhëhequr nga Todor Petrovi, i cili kur u vendos para më pak se dhjetë vjetësh, lëvdohej për dimensionet e tij se është i treti në botë për nga madhësia! Paramendoni, në një shtet të vogël si Maqedonia, të ketë dy kryqe me madhësi që vijnë fill pas atij të Rio de Zhaneiros!

Në një komunë etnikisht të pastër në organet komunale, ndërtimi i një kryqi të tillë, nuk është problematizuar nga askush dhe gjithçka mund të ketë shkruar rrugës ligjore: Kongresi ka kërkuar parcelë, komuna ia ka dhënë pa problem. Se me ç’para është ndërtuar, është një rrëfim në vete.

Po ky Kongres i Todor Petrovit dhe ai vetë, deshi ta bëjë të njëjtën gjë në komunën e Butelit, por i vendosur në mjedis me prezencë dominuese myslimane dhe praktikisht në kufi me komunën e Çairit, me shumicë shqiptare. Atëherë u çuan këshilltarët komunalë, deputetët e BDI-së dhe qytetarë që me protesta e penguan ndërtimin e tij. Nxorën në pah gjithë mbrapshtinë e qëllimit politik të këtij kryqi, sepse ai ndërtohej në mjedis mysliman dhe që nuk kishte qëllim fetar(po të ishte kjo, do të ndërtohej kishë, e jo kryq), që shumë herë është thënë: shënjimin e territorit!

Deri tash, me të thënë dhe të pathënë, ka dalë në shesh qëllimi i mbrapshtë i ndërtuesve të kryqeve, që me vendosjen e tyre. Me fjalë tjera, t’u tregojë shqiptarëve dhe pjesëtarëve të tjerë, se ky territor u takon të krishterëve!

Pengimin e këtij kryqi në Butel dikush e quajti shprehje e jotolerancës, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Vetëm disa qindra metra më poshtë, në lagjen e Veriut, është kisha e cila nuk i pengon askujt, ndërtimin e së cilës askush asnjëherë nuk e ka problematizuar, sepse ajo ka funksionin t’u shërbejë besimtarëve të krishterë në atë lagje. Askush s’është ankuar për asnjë kishë që ka pasur qëllimin për t’u siguruar të krishterëve një faltore të tyre.(Për fat të keq, ka pasur shumë raste pengimi të ndërtimit të xhamive në disa mjedise, të nxitur po nga këta ndërtues kryqesh…)

Sa kujtuam se ka marrë fund tendenca e ndërtimit të kryqeve pa kisha ku nuk e kanë vendin, ja, kryqi na “zbardhi” në Kodrën e Diellit! Në komunën e menaxhuar nga Bilall Kasami i Lëvizjes Besa.
E kujtoni imazhin e kësaj partie? Parti me program kombëtar dhe devotshmëri fetare myslimane! Këtë nuk e themi se një parti e tillë do të duhej të ishte kundër vlerave të krishterimit, por për të treguar paradoksin se një e tillë sot ka lejuar që në “atarin” e komunës së vet të ndërtohet pikërisht nga ato kryqet politike çfarë “i mbillte” Kongresit Gjithëmaqedonas Botëror i Todor Petrovit, por tash me regji tjetër?

Që të ndodhë ndërtimi i një kryqi të tillë, nëse nuk është ndërtim i egër(nëse është kjo ku ka qenë Kasami ta hetojë më herët), duhet të ketë lejen e komunës dhe të ketë marrë mendim e leje edhe në nivele tjera. Këshilltarët e BDI-së dhe subjekte të tjera tash me të drejtë pyesin se si ndodhi të ndërtohet një Kryq në Kodrën e Diellit?

Kush e lejoi, cili është qëllimi i tij?

Poashtu me të drejtë pyesin dhe kanë të drejtë të dyshojnë se mos allë kjo është një jetësim i ndonjë marrëveshje të fshehtë midis Kasamit dhe partisë VMRO-DPMNE, e cila këtë e ka fituar në bazë të kushtit për përkrahje në zgjedhjet lokale.? A nuk del në shesh se mbështetja e këtij subjekti nuk qenka vetëm një marrëveshje e thjeshtë ku do të fitojnë disa poste drejtorësh, por dhe më shumë se kaq, një nga ato koncesione politike që janë kanceroze për marrëdhëniet ndëretnike e ndërfetare. Sepse, siç u tha edhe më sipër, shqiptarët nuk janë kundër kishave, por gjithsesi janë shumë kundër ndërtimit të kryqeve politike për të treguar se kujt i takon ky territor.

Këtu kemi përballjen e dy mendësive, njëra e mbrapshtë, që ka mbjellë vazhdimisht urrejtje e ndasi me synimet etnocentriste, që vendit i kanë shkaktuar edhe kriza serioze politike e të sigurisë dhe filosofia tjetër, ajo për shoqëri multietnike, multifetare e multikulrore me tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë të vlerave të tjetrit.

Pra, ky është një dallim konceptual dhe çdo parti a subjekt shqiptar, është rreshtuar me konceptin e dytë.

Ku është rreshtuar Billall Kasami?

Ai tash dhe mund të lajë duart nga përgjegjësia me shpjegime se nuk ka dhënë leje ose nuk ka qenë në dijesni, përgjegjësia është e tij. Por dhe nuk mund të bindë askënd se është kështu.
Më tepër do të kishim thënë se po del në pah e vërteta se marrëveshjen për Kryqin si duket Kasami nuk e ka mbajtur fshehur nga votuesit që i kanë besuar, por edhe nga bashkëpartiakët e vet, që tregon se deri në ç’shkallë shkon logjika e errët e një karrieristi të verbër për pushtet, që edhe me “djallin” është në gjendje të bie ujdi dhe t’ia shesë shpirtin për pak akomodim pushteti.

Prandaj, të gjithë kemi të drejtë të pyesim: Ç’ne kryqi pa kishë te Kodra e Diellit, o Bilall Kasami?!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments