BallinaLajmeÇmimet e larta të ushqimeve në Maqedoninë e Veriut, Mickoski paralajmëron tregtarët:...

Çmimet e larta të ushqimeve në Maqedoninë e Veriut, Mickoski paralajmëron tregtarët: Ulni çmimet ose do ndërhyjmë! Mund t’ju publikojmë emrat

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi se gjatë ditës së sotme Qeveria do të zhvillojë një takim me distributorët, tregtarët dhe përfaqësuesit e marketeve, duke u dërguar një mesazh të qartë lidhur me çmimet e produkteve ushqimore.

Sipas tij, periudha e krizës po shkon drejt fundit dhe tashmë është momenti që bizneset të reflektojnë ndaj qytetarëve, të cilët, siç theksoi ai, kanë treguar durim dhe tolerancë.

“Mesazhi im do të jetë i qartë. Kriza po mbaron, qytetarët ishin tolerantë, tani është radha e tregtarëve të jenë të sjellshëm dhe të nisin menjëherë me uljen e çmimeve, veçanërisht për produktet bazë ushqimore. Pres reagim konkret nga ana e tyre”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se Qeveria disponon mekanizma për të ndërhyrë në rast se nuk ka reflektim nga tregu, duke paralajmëruar masa të mundshme në ditët në vijim.

“Justifikime nuk pranoj. Nëse nuk ka reagim nga distributorët, tregtarët dhe prodhuesit, atëherë Qeveria do të reagojë në mënyrë tjetër”, u shpreh ai

I pyetur nga gazetarët pas pjesëmarrjes në Takimin Vjetor 2026 të Bordit Drejtues të CEF-it, Mickoski nuk dha detaje konkrete mbi nivelin e uljes së çmimeve, por nënvizoi se korrigjimi i tyre është i domosdoshëm.

Ai shtoi se do të bëhen krahasime me çmimet në rajon dhe nuk përjashtoi mundësinë që disa tregtarë të publikohen me emër nëse nuk reflektojnë.

“Produktet bazë duhet të korrigjohen. Qytetarët kanë qenë të duruar, tani është koha që tregtarët të tregojnë përgjegjësi. Nëse është e nevojshme, do të publikojmë edhe emrat e atyre që nuk respektojnë këtë kërkesë”, përfundoi kryeministri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments