Nga Nevila Dervishi
Renditja e mbiemrave më të përdorur nga shqiptarët, në një studim të kohëve të fundit të kryer nga profesori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Çlirim Bidollari, nxirrte në krye ata që janë trashëguar e përdoren nga popullsia e lidhur me besimin musliman.
Kështu, në 6 mbiemrat më të përdorur janë, Hoxha, Shehu, Prifti, Çela, Leka dhe Dervishi, të paktën 3 prej tyre, Hoxha, Shehu dhe Dervishi kanë lidhje me këtë përkatësi të besimit fetar.
Për habi renditja e mbiemrave më të përdorur nga shqiptarët ka ndryshuar me kalimin e kohës.
Këtë e vërteton një studim i tashmë historianit Paskal Milo, i cili është mbështetur në të dhëna statistikore të regjistrimit të vitit 1945.
Sipas artikullit të Paskal Milos, publikuar në vitet ‘70 në një gazetë të kohës së komunizmit, renditja e mbiemrave më të përdorur në Shqipërinë e 1945 ishte e tillë:
Në vendin e parë mbiemri “Hoxha”, në vendin e dytë “Çela”, që mund të jetë mbiemër pagan, në vend të tretë dhe të katërt mbiemrat “Gjoni” dhe “Kola”, të përhapur kryesisht mes popullsisë së besimit katolik dhe i pesti në radhë, mbiemri “Dervishi”, sërish një mbiemër që ka lidhje me besimin musliman.
Mbiemrat nisën të përdoreshin nga shoqëria njerëzore rreth shekullit të 12 me qëllim dallimin mes njerëzve dhe sidomos për shmangien e martesave brenda fisit.
Fillimisht mbiemrat u përdorën nga shtresat e pasura të popullsive, më pas nga klerikët dhe më vonë nga shtresat e popullit të thjeshtë./abcnews.al