7.8 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBulevardi Blagoja Toska në Tetovë: Vetëm tre palë nuk kanë marrëveshje me...

Bulevardi Blagoja Toska në Tetovë: Vetëm tre palë nuk kanë marrëveshje me komunën, pritet rrënimi objekteve

Pjesa më e madhe e pronarëve të objekteve të cilat do të duhet të rrënohen për ndërtimin e bulevardit “Blagoja Toska” janë pajtuar. Por, aktualisht ka tre palë me të cilët nuk ka marrëveshje ende, për këto, është krijuar komision i posaçëm i përbërë nga këshilltarë komunal.
Nga ana tjetër, kryetarja Arifi pret që gjatë pranverës të punohet në terren dhe që gjatë mandatit të saj, të bëhet hapja e këtij bulevardi. Në terren, nuk ka punë konkrete, shkruan Portalb.mk.

Premtimi shtatëvjeçar i kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka filluar të konkretizohet në muajt e fundit të mandatit të dytë të saj. Megjithatë, hapja e këtij bulevardi do të kërkoje rrënimin e disa shtëpive, me këtë, jo gjithkush ka ngelë i lumtur

Bëhet fjalë për rreth 17 palë të cilët do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me të cilën pajtohen që prona e tyre të ju merret nga autoritetet komunale, në këmbim, atyre u janë ofruar mjete financiare. Nga këto, vetëm tre palë nuk kanë ngelur të kënaqur, edhe atë, siç thonë nga Komuna e Tetovës, kryesisht problemet i kanë pasur mes vete.

Andaj, në seancën e fundit të këshillit komunal është krijuar një komision i cili do të tentojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të të lartpërmendurve.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët është anëtar në këtë komision dhe thotë se do të tentojnë t’i bindin personat që nuk duan të tërhiqen.

“Kemi biseduar që të shkojmë si grup në emër të këshilltarëve ti bindim palët e prekura që të realizohet projekti. Ka 17 palë që duhet të dakordohen me ofertën e komunës. Prej të cilëve, vetëm 2 apo 3 palë nuk pajtohen. Edhe atë, të njëjtit janë familjarë mes vete. Kryesisht problemin e kanë me njëri tjetrin, për çështje pronash” tha Arif Selami, këshilltar nga radhët e ASh-së, për Portalb.mk.

Teuta Arifi: Kemi filluar me pagesat për pronarët e objekteve
Duke mos treguar shumën konkrete dhe ofertën e tyre, kryetarja e Komunës së Tetovës potencoi se kanë filluar të paguajnë dëmshpërblimin për pronarët e pronave të cilat do të ju merren, ajo shtoi se të njëjtëve u është dhënë afat se kur duhet të lëshojnë objektin.

“Për sa i përket bulevardit “Blagoja Toska”, jemi në përfundim të procesit për pagesat e eksproprijimit. Në të njëjtën kohë, marrë parasysh faktin se kjo ka qenë një ndër angazhimet tona shumë të rëndësishme, të gjihtë ata të cilët kanë pranuar pagesat kanë marrë edhe informacionin dhe afatin kohor kur duhet të lëshojnë objektin që të dalim në terren për të pastruar trasenë dhe për të bërë përgatitjet e fundit” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Informojmë se një pjesë e objekteve të cilat do të rrënohen nuk kanë qenë të legalizuara. Andaj, në mënyrë që pronarët të mos ngelen pa dëmshpërblim, Komuna e Tetovës ka legalizuar këto objekte dhe sipas Arifit “kjo ka marrë mjaftë kohë”.

Qeveria e RMV-së, komunës së Tetovës i ka ndarë më shumë se 30 milionë denarë për këtë bulevard
Fillimisht, me 26 nëntor të këtij viti, Qeveria e RMV-së i ndau komunës së Tetovës 26,5 milionë denarë për rekonstruimin e bulevardit “Blagoja Toska”.

Atëherë, nga komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se mjetet do t’i shfrytëzojnë për shpronësimin e objekteve të cilat pengojnë hapjen e këtij bulevardi.

“Me rebalancin e buxhetit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë gjithsej 29 milionë e gjysmë denarë për këtë, këto mjete do të shfrytëzohen për shpronësimin e objekteve” thanë nga Komuna e Tetovës.

Rreth 1 muaj më vonë, me datë 27 dhjetor nga Qeveria e RMV-së sërish ndau mjete për bulevardin “Blagoja Toska” në Tetovë, kësaj radhe rreth 1 milion denarë, por këto mjete do të shfrytëzohen edhe për disa projekte tjera të vogla.
Hapja e këtij bulevardi premtohet nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi nga mandati i parë i kësaj të fundit, edhe atë nga viti 2013 ndërkaq ky premtim ende nuk është realizuar. Portalb.mk disa muaj më herët përgatiti “maratonën” e premtimeve shtatëvjeçare të Teuta Arifit për këtë bulevard.

Ndryshe, gjendja në këtë bulevard aktualisht është e mjerueshme, aty mund të shihet gjithçka, vetura, baltë, papastërti, përdorues të drogës, por jo edhe automjete për ndërtim. Hapja e tij do është një ndër mënyrat më efikase për lehtësimin e komunikacionit të ngarkuar në Tetovë. /portalb/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments