Inspektorati i Gjuhës është lënë pa paga për pesë muaj me radhë, me qëllim që inspektorët të dorëhiqen vetë. Institucionet i refuzojnë inspektimet dhe, ndërkohë, përdorimi i gjuhës shqipe po zhbëhet sistematikisht, nga vulat zyrtare, te dokumentet dhe mbishkrimet publike. Kështu shkruan në një postim në profilin e tij në Facebook, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa shton se Qeveria po përgatitet për hapin e fundit: shuarjen përfundimtare e organit ekzekutiv për zbatimin e gjuhës, përmes heqjes së autonomisë dhe nënshtrimit të tij nën ministrin e Drejtësisë , i cili as nuk e njeh gjuhën shqipe si zyrtare.
“Ky është një sulm i qëllimshëm ndaj zbatimit të gjuhës shqipe dhe ndaj të gjitha arritjeve që janë garantuar me shumë mund dhe sakrificë”, shkruan Osmani.
Në ndërkohë, gjatë një takimi sot me zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti dhe drejtorin e Inspektoratit, Arsim Idrizi, kryeministri Hristijan Mickoski ka diskutuar për gjendjen financiare të punonjësve dhe mundësitë për trajtimin e situatës, ndërsa bëri të ditur se Inspektorati do të kalojë në kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim funksionalitetin institucional dhe realizimin e pagesave.
Me këtë rast, kryeministri njoftoi formimin e një Grupi pune për riorganizimin përfundimtar të Inspektoratit dhe përcaktimin e kompetencave të tij, duke lënë të kuptohet Qeveria nuk ka heq dorë nga marrja e kompetencave për inspektoratin dhe nga ana tjetër, detyrimin që të i njëjti të shuhet.