3.7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBllok Shqipërisë dhe Maqedonisë/ Miratohen sot draft-konkluzionet

Bllok Shqipërisë dhe Maqedonisë/ Miratohen sot draft-konkluzionet

Në pamundësi të aprovimit të kuadreve negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian pritet të aprovojnë sot draft-konkluzionet mbi të dyja vendet. Këto konkluzione i referohen hapave që mbeten për t’u ndërmarrë deri në aprovimin e kuadreve negociuese dhe hapjen zyrtare të negociatave me të dyja vendet.

Dukej se gjithçka ishte në vijën e duhur për aprovimin e dy kuadreve negociues me fillimin e presidencës gjermane në korrik 2020. Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian i përkushtuan kohën më të madhe të diskutimeve të tyre gjatë këtyre gjashtë muajve metodologjisë së re të zgjerimit. Në momentin kur të 27 shtetet anëtare ranë dakort për detajet e integrimit të metodologjisë së re të zgjerimit në kuadret negociuese, një çështje bilaterale e bëri të pamundur konsensusin në gjirin e tyre.
Bullgaria insistoi që zgjidhja e çështjes së historisë, gjuhës dhe të minoriteteve me Maqedoninë e Veriut të integrohej në kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut. Asnjë prej 26 shteteve anëtare nuk e përkrah qëndrimin e Bullgarisë për të marrë garanci para hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Shumica dërrmuese konsiderojnë se kjo çështje bilaterale mund të zgjidhet gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit, që zgjat me vite. Por Bullgaria nuk heq dorë deri tani nga qëndrimi i saj dhe vendimi për aprovimin e kuadreve negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kërkon unanimitet. Përveç kësaj, duhet që edhe Maqedonia e Veriut të jetë dakort për kuadrin negociues.
Por pala maqedonase nuk pranon qëndrimin e palës bullgare. Si rrjedhim, aprovimi i kuadreve negociuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbetet i bllokuar. Kjo e bën të pamundur synimin tjetër të presidencës gjermane për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut në dhjetor. Lidhur me Shqipërinë, shtetet anëtare nuk kanë rezerva për aprovimin e kuadrit negociues me vendin.

Kushtëzimi i shteteve anëtare nuk lidhet me kuadrin negociues, por me fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, që realizohet përmes mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në.

Së paku, pesë shtete anëtare konsiderojnë, se Shqipëria nuk ka përmbushur ende dy parakushtet kyçe ndër gjashtë parakushtet që kërkohen për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Këto dy parakushte kyçe kanë të bëjnë me funksionimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe me aprovimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, zbatimit të saj e transparencën e financimit të partive politike. Për Komisionin Europian ky parakusht i dytë për reformën zgjedhore është i plotësuar dhe mbetet për t’u plotësuar ligji për mediat online.

Ndasitë midis Komisionin Europian dhe disa shteteve anëtare për vlerësimin e përmbushjes së kushtëzimit të vendosur për Shqipërinë vazhdojnë. Mbetet për t’u parë si versioni përfundimtar i draft-konkluzioneve të shteteve anëtare.

Gjithsesi, ajo që i bashkon të gjitha institucionet europiane, është se Shqipëria nuk ka përmbushur ende parakushtet për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit. /ABC NEWS/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments