Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami thotë se personalisht do të angazhohet dhe do të bisedojë me pronarët e shtëpive në qytet që të zgjidhet problemi me shpronësimin që të realizohet vazhdimi i paraparë i bulevardit “Bllagoj Toska”.
“Janë tri shtëpi që ndodhen në trasenë e paraparë për bulevard dhe për të cilat ka vendime për shpronësim, pronarët nuk janë të kënaqur dhe procedura është përmes gjykatës të zgjidhet. Unë shpresoj se deri në pranverë të zgjidhet, akoma nuk jam ulur personalisht me pronarët të shohim nëse mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Sektori i urbanizmit është angazhuar dhe pres të dorëzojnë raport dhe do ta zgjidhim këtë shpejtë. Do të ulem unë personalisht me pronarët dhe shpresoj se do të gjejmë gjuhë të përbashkët. Projekti i cili për momentin duhet të realizohet është segmenti nga spitali deri tel shkolla e mesme e tekstilit”, deklaroi Kasami.
Në gusht 2021 filluan punimet ndërtimore për zgjerimin e bulevardit. Mjetet përveç nga Qeveria, janë siguruar edhe përmes kompanisë TAV, projekt për të cilin Tetova i fitoi 43 milionë denarë. Është paraparë të dëmshpërblehen dhe të rrënohen tetë shtëpi.