SHBA mbetet në kontakt të rregullt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky përmes një telefoni të sigurt satelitor SHBA i dha qeverisë ukrainase muajin e shkuar, përpara se të ndodhte pushtimi. Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar amerikan për CNN.
Në të shkuarën, komunikimet më të sigurta mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë bëheshin përmes ambasadës në Kiev. Kur SHBA po përgatitej për të evakuuar ambasadën e saj dhe teksa frika për një pushtim rus po vinte në rritje SHBA dërgoi telefonin në fjalë që po përdoret aktualisht nga homologët e tyre ukrainas.
Telefoni i sigurt i lejon Zelensky-t të jetë në kontakt me SHBA, gjatë kohës që ai është në lëvizje, shpjegoi zyrtari amerikan për CNN. Zelensky e ka bërë të qartë se synon të qëndrojë në vendin e tij dhe aktualisht ai është gjithnjë në lëvizje në zona të ndryshme të Kievit, të cilat janë të mbrojtura me një numër të lartë të forcave të sigurisë.
I njëjti zyrtar tha po ashtu se një telefon i ngjashëm satelitor i ishte dhënë edhe ministrit të Jashtëm, Dmytro Kuleba. Këta telefona kanë nevojë për energji elektrike, por mund të operojnë edhe me gjenerator ose energji nga një makinë, në rast nevoje.
Ukrainasve mësohet se iu deshën disa dite që t’i vinin në përdorim këto pajisje për shkak se instruksionet ishin në anglisht dhe jo në gjuhën e tyre.
Dy presidentët, Biden dhe Zelensky e patën komunikimin e tyre të fundit në telefon këtë të martë.klan.al