Ndërsa politika shqiptare në Tiranë e ka harruar, e zënë me ‘punë’ nga fushata në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me politikanët shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në 557-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, Albin Kurti, Ziadin Sela dhe politikanë të tjerë nga trojet shqiptare, kanë marshuar në Lezhë.
Të pranishëm në marshim, kanë qenë edhe përfaqësues të shqiptarëve nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, ku mes tyre spikati edhe Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ata marshuan në bulervardin “Gjergj Fishta” dhe më pas bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në obeliskun e Besëlidhjes, ndërsa vizituan dhe vendvarrimin e Skënderbeut.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, para të pranishmëve u shpreh se Besëlidhja e Lezhës ishte akt politik, publik e kolektiv i lidhjes së shqiptarëve.
“Sot, teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes, që është akt politik, publik e kolektiv i lidhjes së dëshirës së përbashkët me veprimin e secilit, ne duhet të mendojmë e veprojmë duke menduar sesi do të mendonin e vepronin, nga Skënderbeu e deri tek rilindësit tanë e dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë. Populli shqiptar duhet të faktorizohet”, u shpreh Kurti.
Si sot, më 2 mars 1444 në Kishën katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës.
Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare.
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare, mblodhi në një Kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman.
Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princave shqiptarë në një Kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut, përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij. /e.a/noa.al/