Vende pune për të gjithë, paga më të mira dhe standarde më të larta jetese – ishin dhe janë qëllimet e BDI-së në planin për zhvillim ekonomik kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ndërsa është shprehur se rritja e Bruto Prodhimit Vendor në tremujorin e vitin është për 3,6% krahasuar me -1,8 në tremujorin e dytë të 2017.
“Me kënaqësi raportojmë për numrin rekord të 741 milion Euro Investime të huaja direkte gjatë mandatit të fundit. Por ajo për të cilën ne me të vërtetë kemi punuar shumë, është që qytetarët tanë të përfitojnë nga ky sukses ekonomik, se më shumë njerëz të punësohen, të marrin paga më të mira dhe të kanë standard jetese më të lartë. Ne kemi bërë përmirësime të konsiderueshme për qytetarët gjatë viteve të fundit, për shkak të qasjeve tona programore dhe strategjike”, deklaroi ministri Bekteshi. Para mediave, ai foli edhe për çështje të ndryshme duke thënë se u realizua ajo që është premtuar në zgjedhjet e fundit.
“Masat tona aktive të punësimit kanë krijuar më shumë se 60.000 vende të reja pune në dy vitet e fundit, më shumë se 50.000 prej tyre në sektorin privat. Papunësia ra në nivel historikisht më të ulët prej 17,1% krahasuar me 22,1% në tremujorin e dytë të 2017, kur u formua qeveria. Rroga mesatare është rritur për më shumë se 10% ose 2.900 denarë në këto dy vjet. Ne e rritëm pagën minimale nga 9.000 denarë në 14.500 denarë ose për 2 vjet e gjysmë u rrit për 60% dhe kështu siguruam një standard më të mirë jetese për ata që kishin nevojë më shumë. Pas këtyre arritjeve të rëndësishme të cilat njerëzit mund t’i shohin dhe ndjejnë në xhepat e tyre, qëndrojnë shumë masa të suksesshme strategjike. Ne kemi përmirësuar kushtet në drejtim të investimeve të huaja dhe vendase”, tha Bekteshi.
Në pak kohë, vazhdoi ministri, ne kemi nënshkruar 34 marrëveshje të reja investimesh të huaja dhe vendase. “Nga këto, 12 fabrika janë ndërtuar dhe 22 janë tashmë në ndërtim e sipër. Dy vjet më parë miratuam Planin e Rritjes Ekonomike, i cili u implementua në përputhje me Ligjin për Ndihmë Financiare për Investime, ligj i propozuar nga Ministria e Ekonomisë. Vitin e kaluar bëmë ndryshime në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve për të përmbushur kërkesat e biznesit. 184 ndërmarrje aplikuan për përdorimin e masave të shtyllës së parë dhe të dytë, dhe pas vlerësimit rreth 170 ndërmarrje nënshkruan një Marrëveshje të Ndihmës Financiare. Kjo do të thotë se kompanitë kanë investuar 230 milionë euro duke krijuar 4.577 vende të reja pune. Midis 2017 dhe 2019 kemi pasur një IHD rekord prej 741 milionë euro, krahasuar me 555 ndërmjet 2015 dhe 2017 dhe 457 milionë euro në periudhën 2013-2015. Kjo rritje e qëndrueshme është rezultat i strategjisë sonë të qëndrueshme. E gjithë kjo ka kontribuar në rritjen e ekonomisë së përgjithshme, uljen e papunësisë, rritjen e eksporteve dhe promovimin e teknologjive të reja në proceset e prodhimit”.
Por, vazhdoi më tej ai, ekziston edhe një faktor tjetër kyç – stabiliteti politik që i sollëm vendit për shkak të anëtarësimit në NATO dhe perspektivës së BE-së.