Sipas Raportit të Ministrisë së Financave për kuartalin e dytë të vitit 2026, deri më 30.06.2026, NPK “Tetova” rezulton me rreth 6 milionë euro detyrime.
Kjo shifër ngre një pyetje të thjeshtë: çfarë përfitoi financiarisht NPK “Tetova” nga partneriteti me Saubermacher?
Në vitin 2024, NPK “Tetova” kishte rreth 5,97 milionë denarë humbje. Vetëm një vit më vonë, në 2025, humbja arriti në 71,05 milionë denarë – një përkeqësim prej rreth 65 milionë denarësh, apo mbi 1 milion euro, brenda vetëm një viti.
Ndërkohë, NPK vazhdon të ketë pagesa ndaj Saubermacher. Në raportin financiar për vitin 2025 figurojnë 7.842.843 denarë për “Shërbime për pagesë 5% (Saubermacher)”, kundrejt vetëm 722.140 denarëve një vit më parë.
Në anën tjetër të kësaj marrëdhënieje janë qytetarët. Në vitin 2024 ndryshoi metodologjia e faturimit të mbeturinave, ndërsa në vitin 2026 u mundësua një rritje e re e çmimeve, me rreth 30% rritje për amvisëritë.
Pra, kemi një situatë që kërkon llogaridhënie: shërbimi i mbeturinave i është kaluar operatorit privat, qytetarët përballen me tarifa më të larta, NPK vazhdon të paguajë për shërbime të lidhura me Saubermacher, ndërsa humbja vjetore e ndërmarrjes publike është rritur nga 5,97 në 71,05 milionë denarë.
Pyetja që mbetet është: ku është përfitimi financiar për ndërmarrjen publike dhe për qytetarët nga ky model i partneritetit publiko-privat ?
