10.6 C
Tetovo
E enjte, 2 Maj, 2024
BallinaOpinionBallkani në vitin 2023: mes neopopulizmit rus dhe turk

Ballkani në vitin 2023: mes neopopulizmit rus dhe turk

A mund të përsëritet skenari rus i vitit 2022 si ai i Turqisë pas vitit 2023? Kjo është pyetja që shtron studiuesi nga Berlini Thomas Schad në analizën e tij në numrin e fundit të revistës autoritative gjermane Südosteuropa-Mitteilungen. Duke reflektuar mbi atë që e bën neopopulizmin kaq të suksesshëm, ai gjithashtu përpiqet të përgjigjet sesi regjimet autoritare mësojnë nga njëri-tjetri.

Thomas Schad bën një vëzhgim të rëndësishëm – promovimi i imazheve historike revizioniste ka qëllime terapeutike. Njerëzit duan të ndihen mirë. Revizionizmi është “manipulim terapeutik i opinionit publik”. Ai i ndihmon njerëzit të ndihen mirë dhe merr miratimin e tyre. Prandaj, sado irracionalë të jenë, populistët duhet të merren seriozisht.

Nuk mund të ketë partneritet të vërtetë funksional midis regjimeve autoritare dhe demokratike, madje shpesh regjimet demokratike stabilizojnë ato autoritare nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme. Populizmi dallohet pikërisht sepse, përveç kërkimit të një dore të fortë autoritative, synon të sigurojë miratimin e konsiderueshëm të publikut. Regjime të tilla ofrojnë mbështetje terapeutike nëpërmjet mediave të kontrolluara dhe shpërndarjes së imazheve historike revizioniste me përmbajtje emocionale nostalgjike.

“E ardhmja e nostalgjisë”

Revizionizmi mbështetet në nostalgji – një gjendje normale njerëzore. Në vitin 2001, studiuesja ruso-amerikane Svetlana Boym ishte e para që parashikoi “të ardhmen e nostalgjisë” me librin e saj me të njëjtin emër, ku dalloi nostalgjinë “reflektuese” dhe “restauruese”. E para mund të ndihmojë në integrimin dhe kuptimin e së kaluarës, e dyta është pjesë e revizionizmit që ndjek synime socio-psikologjike – faktet vendosen në mënyrë selektive dhe në përputhje me nevojat emocionale, ndërkohë që ndryshojnë ose plotësohen vazhdimisht.

Tomad Shad thekson se si për Rusinë ashtu edhe për Turqinë, koha e tranzicionit – fundi i viteve 1980 dhe 1990 – ishte një periudhë e rëndësishme për formimin e politikave revizioniste. Tendenca të ngjashme vërehen në të dyja vendet – nga njëra anë liberalizimi i diskurseve historiografike dhe nga ana tjetër radikalizimi dhe ngushtimi i këndvështrimit. Në të dyja rastet, traumat kolektive dalin në sipërfaqe dhe riinstrumentalizohen.

Revizioni i së kaluarës osmane

Që nga vitet 1980, nën Turgut Özal, në Turqi filloi një rishikim i së kaluarës osmane, i refuzuar nga Kemalizmi si një periudhë historike pa prestigj të madh. Neo-otomanizmi, një diskurs kulturoro-politik me shumë drejtime, synon një orientim të ri gjeostrategjik, një interpretim të ri të historisë dhe në të njëjtën kohë – plotësimin e nevojave nostalgjike për prestigj dhe respekt për veten. Neo-otomanizmi turk, thekson Shad, shtrihet shumë përtej kufijve të Turqisë me transmetime të zakonshme të serive televizive, në internet dhe prodhime të tjera kulturore. Shkrimet programatike të politikës së jashtme të intelektualëve kryesorë turq, si Ahmet Davitoglu, nxiten pikërisht nga ky revizionizëm historik neo-otoman.

Schad, për shembull, pyet veten pse tekste si Thellësia Strategjike e Davittoglu (2001) dhe Civilizimet dhe Qytetet (2016), të cilat janë të krahasueshme me revizionizmin euroaziatik të Putinit, nuk janë përkthyer as në anglisht dhe as në gjermanisht. Këto tekste skicojnë qendrën dhe periferinë osmane, emërtojnë solidaritetin fetaro-kulturor si doktrinën kryesore të politikës së jashtme për Turqinë, pikturojnë një model të ri qytetërues osmano-islamik si kundërpeshë ndaj modelit të vjetër kolonial evropian.

Lufta në Bosnje

Për sa i përket Ballkanit, këto vepra janë mjaft të diskutueshme. Lufta në Bosnje (1992-1995) dhe politika evropiane e mosndërhyrjes luajtën një rol të madh në ndryshimin e opinionit publik në Turqi dhe në zgjimin e ndjenjave pozitive ndaj periudhës osmane. Kjo vlen, thekson Shad, jo vetëm për pjesën islamike të Turqisë, por edhe për qarqet tradicionalisht përparimtare liberale kemaliste. Fati i boshnjakëve ngjall edhe në pjesët më të largëta të Anadollit simpati dhe kujtim të traumës së vjetër – dëbimit të myslimanëve kaukazianë dhe evropianë që gjetën shtëpinë e tyre në Turqi – “refugjatë të besimit”. Lufta në Bosnje po shkakton dëme të mëdha në imazhin e Evropës në Turqi.

Dhe megjithëse solidariteti, dhembshuria dhe premtimet e sigurisë për myslimanët evropianë janë pjesë e pandryshueshme e çdo fjalimi të sundimtarëve në Turqi, është një çështje referimi selektiv ndaj fakteve historike dhe revizionizmit të ndërgjegjshëm historik. Ashtu si regjimi i Putinit përdori në mënyrë arbitrare fjalën “gjenocid” kundër rusëve në Ukrainë për të justifikuar agresionin e tij ushtarak, ashtu edhe regjimi i Erdogan përdor shpesh fjalën “gjenocid” për fatin e myslimanëve evropianë. Në këtë sfond, megjithatë, ai vazhdon të mohojë gjenocidin osman të armenëve (1915-1916). Kështu, fjala “gjenocid” nuk çon në një kuptim më të thellë të problemit, por mbetet në nivelin e manipulimit selektiv.

Një skenar rus në Turqi? Duke vëzhguar sjelljen e Turqisë dhe duke analizuar politikën e dyshimit në lidhje me kufijtë ekzistues – veçanërisht në raport me Greqinë – Thomas Schad nuk e përjashton këtë mundësi. Në vitin 2023, Republika e Turqisë feston 100 vjetorin e themelimit të saj. Edhe ky do të jetë vit zgjedhor. Ndoshta do të jetë një rast për aktivitete të mëtejshme. Analiza e Thomas Schad fokusohet në fuqinë e ndjenjave që ngjallin trauma të vjetra kolektive. Janë këto ndjenja që bëhen mjet në politikën e populizmit. Revizionizmi historik nuk mund të kundërshtohet vetëm me argumente racionale. Ai duhet të merret seriozisht. (Dnevnik.bg)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments