Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetar i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës nga viti 2007, me të cilin ishin ndryshuar emrat e një numri rrugësh në qytet.
Në reagimin e tij, Rexhepi vlerëson se bëhet fjalë për vazhdim të, siç e quan ai, sulmit ndaj vlerave shqiptare dhe realitetit të ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit.
“Vazhdon sulmi ndaj çdo vlere shqiptare dhe ndaj realitetit të ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit. Këtë herë, në shënjestër janë emrat e rrugëve në Tetovë”, thuhet në reagim.
Sipas tij, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese anulohen emërtimet që pasqyrojnë historinë, identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve të Tetovës.
“Me vendim të Gjykatës Kushtetuese, është anuluar vendimi i Këshillit Komunal të Tetovës i vitit 2007, me të cilin rrugët e qytetit morën emra që pasqyrojnë historinë, identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve në Tetovë”, thekson Rexhepi.
Ai e cilëson vendimin si një “skandal” dhe “provokim të drejtpërdrejtë” ndaj bashkëjetesës dhe barazisë ndëretnike në vend.
“Ky është skandal dhe provokim i drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës, barazisë dhe themeleve të shtetit të ndërtuar pas vitit 2001. Tetovën po mundohen ta kthejnë prapa, në një realitet të dhimbshëm diskriminimi, përjashtimi dhe mohimi”, deklaron ai.
Rexhepi kritikoi edhe udhëheqësinë aktuale të Komunës së Tetovës, duke e akuzuar për mungesë të angazhimit në mbrojtjen e vendimeve të trashëguara nga periudha kur komuna drejtohej nga BDI.
“Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës, e cila dikur premtonte se do t’i ndryshonte edhe emrat e tjerë të rrugëve, u tregua e paaftë edhe për ta mbrojtur atë që e kishte trashëguar si vendim institucional nga koha kur BDI udhëhiqte me komunën”, thekson Rexhepi.
Sipas tij, çështja nuk ka të bëjë vetëm me aspektin juridik, por paraqet një mesazh politik kundër identitetit shqiptar.
“Këtu nuk bëhet fjalë për vendim juridik. Ky është mesazh politik dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj çdo gjëje që nderon historinë tonë, sakrificën tonë dhe pozitën tonë si komb shtetformues”, thuhet në reagim.
Ai akuzon edhe për ekzistimin e një klime politike që, sipas tij, synon zbehjen e pozitës së shqiptarëve në vend.
“Autorët dhe porositësit e kësaj fryme janë të njëjtët që publikisht proklamonin se ‘Maqedoninë do t’ua kthejnë maqedonasve’, ndërsa aktorët shqiptarë në qeveri vazhdojnë të qëndrojnë të heshtur, të nënshtruar dhe të dëgjueshëm përballë çdo vendimi që cenon dinjitetin tonë kombëtar”, deklaron Rexhepi.
Në fund të reagimit, ai porosit se qytetarët e Tetovës nuk do ta pranojnë një zhvillim të tillë dhe se do të vazhdojnë të mbrojnë identitetin dhe historinë e qytetit.
“Kjo nuk kalon. Tetova gjithnjë ka pasur dhe ka burra që i dalin zot historisë, dinjitetit dhe identitetit të saj. Këtu vendoset vija e kuqe”, përfundon reagimi i nënkryetarit të BDI-së, Bajram Rexhepi.
