KREU I STUDENIÇANIT BËN PUBLIKE DËSHMI NGA TË MBIJETUARIT
Gjatë së Premtes, në Komunën e Studeniçanit, janë varrosur 19 viktima të aksidentit tragjik të 23 Nëntorit në Bullgari.
Kryetari I Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, në një prononcim për televizionin bullgar BTV ka bërë thirrje që për shkak të dyshimeve që janë shfaqur në opinion, duhet të zbardhet e vërteta e kësaj tragjedie, që sic tha, të mos përsëriten raste të këtilla tragjike. Ai ka bërë publike edhe dëshmi të të mbijetuarve të aksidentit tragjik.
AZEM SADIKI – KRYETAR I KOMUNËS SË STUDENIÇANIT
“Kemi informacione nga të mbijetuarit se një fëmijë që kishte arritur të shpëtojë nga zjarri në autobus, është kthyer dhe ka bërë përpjekje të shpëtojë anëtarë të familjes dhe ka humbur jetën edhe ai”
Kreu I Komunës së Studeniçanit shpreson se ky rast tragjik do të hetohet drejtë nga autoritetet bullgare duke marrë parasysh se bëhet fjalë për vend anëtar të BE-së.
AZEM SADIKI – KRYETAR I KOMUNËS SË STUDENIÇANIT
“Kjo tragjedi nëse nuk zbardhet deri në fund do të ketë pasoja të mëdha. Njerëzit tashmë nuk besojnë në shtetin e së drejtës, në institucionet. Kemi shpresë se Bullgaria është vend anëtar I BE-së dhe rasti do të hetohet drejtë dhe kjo është kërkesë e familjarëve dhe neve si Komunë – duam ta dijmë të vërtetën”
Sadiki për televizionin bullgar BTV ka thënë se katër nga shtatë të mbijetuarit e aksidentit tragjik janë nga kjo Komunë dhe se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe stabile./KlanMacedonia/