Sot, në një akt që më shumë i shërben imazhit sesa ndjeshmërisë, me pjesëmarrjen e Ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu, zëvendëskryeministrit dhe deputetëve të koalicionit VLEN, u shënua fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Memorial në spitalin modular të Tetovës vendin ku humbën jetën tragjikisht 14 qytetarë të pafajshëm gjatë pandemisë së COVID-19.
Ky vend është ende një plagë e hapur për Tetovën, për familjet e viktimave dhe për të gjithë qytetarët që presin drejtësi. Në vend të përuljes, reflektimit dhe kërkimit të përgjegjësisë, pamë një defilim politik, të shoqëruar jo vetëm nga funksionarët aktualë, por edhe nga eksponentë të partisë BESA, të cilët në kohën e kësaj tragjedie ishin pjesë e qeverisë dhe mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë institucionale për atë që ndodhi.
Veçanërisht e papranueshme dhe e turpshme ishte sjellja e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili pikërisht mbi vendin ku ndodhi tragjedia, nuk nguroi të japë deklarata politike dhe akuza ndaj kundërshtarëve të tij, duke e harruar krejtësisht madhështinë e momentit dhe peshën e dhimbjes që mbart ai vend.
Politika nuk ka vend mbi hirin e viktimave, dhe një përfaqësues i qeverisjes së mirë do të duhej të jepte shembull për ndjeshmëri e përmbajtje, e jo për retorikë të ulët.
Ne, si Aleanca për Shqiptarët Dega Tetovë, nuk jemi kundër ndërtimit të një memoriali që nderon jetët e humbura.
Përkundrazi jemi të bindur se kujtesa kolektive ndaj kësaj tragjedie duhet të ruhet me dinjitet. Por jemi thellësisht kundër politizimit dhe shfrytëzimit të dhimbjes së qytetarëve për qëllime mediatike dhe imazhi politik.
Në një vend ku ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi, ku drejtësia është e vonuar e ndoshta e harruar, çdo tentativë për “ceremoni” pompoze është fyerje për familjarët dhe për të gjithë ata që besojnë në shtetin e së drejtës.
Dinjiteti i viktimave nuk nderohet me fjalime e shiritë, por me drejtësi dhe përgjegjësi.