Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Izet Mexhitit, i cili siç thuhet në reagim, në përpjekje për të mbuluar aferat dhe shkatërrimin urbanistik të Çairit, ka shpërndarë shifra të pasakta dhe të manipuluara lidhur me Gostivarin.
“Deklarata e tij mbi numrin e ndërtimeve pa leje në Gostivar është e pavërtetë dhe e pasaktë. Shifra e përmendur nuk i referohet ndërtimeve pa leje, por objekteve të legalizuara sipas Ligjit për legalizim para vitit 2011. Kjo përzierje është ose joprofesionalizëm, ose keqinformim i qëllimshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit të Ndërtimit të Komunës së Gostivarit, nga viti 2018 deri në vitin 2025 janë evidentuar dhe është vepruar ndaj gjithsej 112 objekteve pa leje, prej tyre: 58 shtëpi të ndërtuara pa leje, 25 mbindërtime apo shtojca, dhe 29 mure oborri”, thuhet në reagimin e ASH-Taravari.Ajo që Izet Mexhiti po bën, thuhet më tej në komunikatë, është një tentativë e dëshpëruar për të devijuar vëmendjen nga krimet urbanistike në Çair.
“Ai ngatërron qëllimisht aplikimet për legalizim të para vitit 2011 me ndërtime të paligjshme të bëra sot, duke harruar se pikërisht gjatë drejtimit të tij janë keqpërdorur këto procedura për pasurim personal dhe të rrjetit të tij. Gostivari është një ndër komunat me numrin më të madh të lejeve për ndërtim të lëshuara – dëshmi e transparencës dhe funksionimit sipas ligjit. Për projektet madhore si masterplani i Çairit nevojiten vite pune, konsultim me publikun dhe angazhimi i ekspertëve vendas, jo shfaqje mediatike dhe ‘ekspertë’ të importuar për interesa politike. Jo, Izet! Krimet tuaja janë bërë tani, pikërisht duke keqpërdorur aplikimet e qytetarëve. Nëse këto kategori elementare nuk i di, atëherë na vjen keq – sepse kjo tregon se nga drejtimi i komunës nuk paske mësuar asgjë, përveç kriminalizimit të pasurisë publike dhe dëmtimit të qytetarëve”.
Për më tepër, thuhet në reagim, raportimet tronditëse për përfitime të paligjshme që kapin shifrën mbi 225 milionë euro nga ndërtimet e egra dhe marrëveshjet e pista me oligarkët e industrisë së bixhozit e lidhin drejtpërdrejt Izet Mexhitin dhe dinastinë e tij me afera të rënda kriminale. “Qytetarët e Çairit dhe Gostivarit e dinë mirë dallimin mes transparencës dhe korrupsionit, mes vizionit për zhvillim dhe betonizimit kriminal”.