15.6 C
Tetovo
E shtunë, 11 Maj, 2024
BallinaLajmeASH i drejtohet BE-së: Mos e pranoni Teuta Arifin për ambasadore

ASH i drejtohet BE-së: Mos e pranoni Teuta Arifin për ambasadore

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka kërkuar që BE-ja të refuzojë akreditimin e Teuta Arifit për ambasadore. “Si qytetarë të këtij vendi dhe si opozitë, është detyrë e jona që të kërkojmë nga BE që të refuzojë akreditimin e Teuta Arifit. Akreditimi i saj do të ishte sinjal shumë i dëmshëm për drejtësinë, pasi që fitimi i imunitetit diplomatik nga ana e Arifit do të nënkuptonte pushimin e lëndëve të saj penale”, tha Arben Fetai, udhëheqë i departamentit për integrim pranë ASH-së.

Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të ASH-së

Jemi sot pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, për të shprehur indinjatën tonë pas raportimeve se Qeveria ka propozuar Teuta Arifin për ambasadore të vendit pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ky vendim vjen në vazhdën e emërimeve skandaloze nga ana e Ministrit të Jashtëm Osmani, i cili e ka shndërruar diplomacinë e vendit në strehë për politikanë të dështuar dhe të korruptuar.

Kujtojmë se Bujar Osmani rishtazi ka dërguar ish-ministrin e policisë, pro serbin, albanofobin dhe të korruptuarin Lubomir Fërrçkovski si ambasador në OKB, pasi që SHBA e refuzoi atë si ambasador në Ëashington. Politikani i dështuar Vesel Mehmedi u dërgua si ambasador në Itali pas favoreve që i kreu BDI-së duke vjedhur mandatin e deputetit nga Aleanca për Shqiptarët dhe duke e dorëzuar atë te Ali Ahmeti. Dhe së bashku me Teuta Arifin, qeveria ka vendosur që të dërgojë si ambasador në Francë, ish zyrtarin e UDB-së jugosllave dhe ish shefin e Agjencisë së Inteligjencës Viktor Dimovski, për të cilin një dokument i brendshëm i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup i lëshuar në Ëikileaks thoshte se Beogradi e mbanë atë në xhep dhe se i njëjti duhet të monitorohet nga afër nga SHBA.

Por të kthehemi te Teuta Arifi dhe pse ky emërim përbën një fyerje të rëndë për qytetarët e vendit si dhe për vetë BE-në.

Kujtojmë se shteti i së drejtës dhe luftimi i korrupsionit janë parimi themelor dhe prioriteti numër një i politikës evropiane për Ballkanin perëndimor, sipas strategjisë evropiane për zgjerim dhe metodologjisë së re për zgjerim. Pra, pa progres të dukshëm në fushën e shtetit të së drejtës, as nuk mund të hapen negociata për anëtarësim në BE dhe as nuk mund të mbyllet asnjë kaptinë negociuese me BE-në.

Bujar Osmani, si ish ministër përgjegjës për dështimet e njëpasnjëshme me BE-në është shumë i vetëdijshëm për këtë gjë. Njëjtë siç është e vetëdijshme Teuta Arifi e cila kishte mbajtur të njëjtën pozitë nën Nikolla Gruevskin. Megjithatë, Arifi është propozuar si ambasadore, duke fyer BE-në dhe rrezikuar më tej të ardhmen evropiane të vendit.

Kujtojmë se Teuta Arifi u ndëshkua nga tetovarët në zgjedhjet e fundit lokale për shkatërrimin që i bëri Tetovës me qeverisjen e saj korruptive për dy mandate. Ndaj Teuta Arifit janë ngritur dy padi penale pë vepra korruptive.

Ajo ka rregulluar privatizimin e 71,000 m2 të fabrikës SIK Jelak në qendër të Tetovës, për t’i mundësuar oligarkut pro-rus dhe ish-ministrit të Radovan Karaxhiçit, Daka Davidoviç, të fitojë 200 milionë euro në një operacion patundshmërie. Arifi vetë e ka pranuar se ka nënshkruar mbi 800 kontrata fiktive për të shpërblyer aktivistët partiak dhe përkrahësit politik me para të tatimpaguesve. Ajo e ka lënë Komunën e Tetovës me një borxh prej mbi 24 milionë euro, ndërsa buxheti vjetor i komunës është 26 milionë. Dhe për fund, si ish kryetare e Tetovës, ajo duhet të japë llogari edhe për tragjedinë e klinikës Covid ku 14 pacientë humbën jetën në shtatorin 2021.

Urojmë dhe besojmë se ambasadori David Geer është i vetëdijshëm për këto gjëra dhe ndanë indinjatën tonë. Megjithatë, si qytetarë të këtij vendi dhe si opozitë, është detyrë e jona që të kërkojmë nga BE që të refuzojë akreditimin e Teuta Arifit. Akreditimi i saj do të ishte sinjal shumë i dëmshëm për drejtësinë, pasi që fitimi i imunitetit diplomatik nga ana e Arifit do të nënkuptonte pushimin e lëndëve të saj penale.

E kjo nuk guxon të ndodh! BE nuk guxon assesi të përdoret si mburojë nga të korruptuarit. Andaj, i bëjmë thirrje BE-së që të refuzojë akreditimin e Teuta Arifit. Një gjë e tillë është e mundshme siç e ka dëshmuar SHBA në rastin e Fërrçkovskit. Tani është radha e BE-së të dëshmojë se nuk ka vend për të korruptuarit në Bruksel, apo siç do thoshte vetë Bujar Osmani, ‘’It’s yEUr turn’’.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments