15 muaj burg për anesteziologun e spitalit të Tetovës, i cili me celularin e tij regjistroi pacientët nga Reparti i Gjinekologjisë, ku ndërpriten shtatzënitë, dhe videon e ka publikuar në rrjetin social TikTok. Ai do të jetë në arrest shtëpiak deri në përfundimin e vendimit. Para gjykatës sot ai ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje për sjelljen e tij.
Skandali ndodhi më 14 prill dhe të nesërmen anesteziologu u pushua nga puna, pas së cilës Dhoma e Mjekësisë i mori lejen e punës. Prokuroria i ka caktuar masën e paraburgimit tetë ditë dhe e ka akuzuar për dy vepra penale: ushtrim i pakujdesshëm i autoritetit dhe shkelje e rëndë e të drejtave të pacientëve.Më vonë u zbulua se ai nuk ishte certifikuar si anesteziolog në dy raste. Nga Spitali i Tetovës konfirmojnë se mjeku ka pasur edhe shkelje të tjera të rënda në vendin e punës, por meqë nuk është formuar komision disiplinor ndaj tij nuk është ndërmarrë asnjë masë.