Ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë mbërritur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, pak para nisjes së seancës konstituive. Seanca ishte caktuar të fillojë në ora 10:00.
Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës mbahet sot, më 15 prill. Aty, deputetët pritet ta bëjnë betimin dhe më pas të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve – nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit.
Kjo parti ende nuk ka treguar edhe nëse i ka votat për formimin ne qeverisë së re, hap ky që vjen pas konstituimit të Kuvendit.
Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë nevojiten 61 vota.
Seanca sot do të udhëhiqet nga deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë që është Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re në moshë, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo seancë ka gjithsej 4 pika: formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, pastaj betimin e 120 deputetëve të rinj dhe pastaj zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas zgjedhjen e nënkryetarëve.ATV live