Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë ka thënë se deklarata e përbashkët “gjithëserbe” mes Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës (BeH), Republika Sërpska (RS), buron nga dezinformatat ligjore dhe është e mbushur me plot gabime.
Ambasada amerikane tutje tha se “deklarata nuk përbën mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, siç pretendojnë autorët, por është sulm i qëllimshëm ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës. Kjo është e rrezikshme”.
Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.
Ambasada amerikane tha se deklarata e bëra nga zyrtarët e Republikës Sërpska, posaçërisht nga presidenti i saj Millorad Dodik dhe nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të RS-së, Nenad Stevandiq, rreth “deklaratës dhe planeve të Republikës Sërpska për ‘shkëputje’ – një emër tjetër për fjalën ndarje – përbëjnë sulm ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit shumetnik të Bosnje e Hercegovinës”.
Ajo tha se Marrëveshja e Dejtonit për paqe dhe Kushtetuta e Bonje e Hercegovinës theksojnë në mënyrë eksplicite se Bosnja e Hercegovina është trashëgimtarja e vetme e Republikës së Bosnje e Hercegovinës me strukturën e saj të brendshme të modifikuar për t’u përbërë nga dy entitete.
“As Marrëveshja e Dejtonit e as Kushtetuta e BeH nuk u jep të drejtë entiteteve, apo ndonjë organi tjetër nënshtetëror, për ndarje, ‘shkëputje’, apo çfarë sinonimi tjetër të patakt për ndarje që sajohet nga zyrtarët e RS-së. RS-ja nuk është shtet dhe ajo mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnje e Hercegovinës”, thuhet në reagim.