Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar dje përfaqësuesit e kompanisë që ka bërë testimin e qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit, të cilën qeveria planifikon ta hapë për qarkullimin e veturave.
Në njoftimin e publikuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se nga rezultatet e matjeve është konkluduar se struktura e Urës së Ibrit siguron kapacitetin e aftësisë mbajtëse dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë sipas modelit të ngarkesave të parashikuara me standardin evropian për ngarkesa EC-1, ose EC-1991, raporton Express.
“Nga këto krahasime rezulton se uljet e matura janë shumë herë më të vogla se ato të lejuara”, thuhet në njoftim.
Sipas ZKM, për matjen e vlerave testuese të uljeve, deformimeve dhe karakteristikave dinamike, janë përdorur pajisjet elektronike të sofistikuara të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Deri më tani kompania “IPE-PROING” ka testuar dhe analizuar aspektin e sigurisë së mbi 40 urave dhe mbi 20 struktura të objekteve në vendin tonë”, përfundon njoftimi i ZKM’së.