18.9 C
Tetovo
E hënë, 29 Prill, 2024
BallinaLajmeAlbin Kurti: Kosova ka plotësuar kërkesat ligjore për anëtarësim në Këshillin e...

Albin Kurti: Kosova ka plotësuar kërkesat ligjore për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, morën sot pjesë në mbledhjen e parë të Grupit Koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se si organizata më e vjetër panevropiane, Këshilli i Evropës, ashtu sikurse edhe Kosova, mishërojnë vlerat dhe standardet më të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, transmeton Klan Kosova.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mundëson qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmat tjerë mbrojtës të Këshillit të Evropës, u shpreh Kurti, derisa theksoi se kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie.

Sipas tij, Kosova ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike, për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Ai shtoi se do të bashkëpunojë ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përgjatë tërë procesit të vlerësimit dhe se ka besim se ky Grup Koordinues ndër-institucional, nën udhëheqjen e zëvendësministrit Ahmeti, do të punojë me përkushtim në funksion të mbarëvajtjes së vizitave fakt-mbledhëse, si dhe në adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve nga raportuesit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, vuri në theks se etapa e parë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka qenë shumë e rëndësishme dhe nuk do të bëhej pa bashkëpunim të katër institucioneve për ta kaluar fazën e parë të mbushur plot sfida.

“Si vendi më demokratik në rajon, si një vend i cili është shembull në përfaqësimin e vlerave të cilat janë baza mbi të cilën është krijuar Këshilli i Evropës, mendojmë që Kosova dje do të duhej të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës, madje shumë vite më parë”, tha ministrja Gërvalla –Schwarz.

Në këtë mbledhje të parë të pranishëm ishin përfaqësues politikë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë e institucionalë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments