Akuza të reja për ish-zyrtarë paralajmëroi ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në emisionin Biznes21. Nuk zbuloi më shumë detaje por tha se policia financiare ka në proces shumë lëndë, për të cilat së shpejti do të informohet publiku.Koçoska tha se po ndërpriten shumë projekte të trashëguara kapitale. Për një prej tyre ka pasur garanci të falsifikuar bankare dhe i njëjti është proceduar deri tek institucionet kompetente.
Përndryshe deri më tani prokuroria hapi hetime për dy lëndë, Lotaria shtetërore dhe “Aditiv”, ku përfshihen disa ish funksionarë. Mes të dyshuarve janë ish zv/kryeministri Artan Grubi dhe ish drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski. Të dy janë në arrati dhe të pakapshëm për organet e rendit.