6.2 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAfrim Ibrahimi / Deklarata e Denko Maleskit, zëri i arsyes dhe ndërgjegjes...

Afrim Ibrahimi / Deklarata e Denko Maleskit, zëri i arsyes dhe ndërgjegjes intelektuale, apo tentativë për mbijetesë të identitetit të përvetësuar, sërish në kuriz të shqiptarëve!?

Para ca ditësh, Denko Maleski, i njohur si ministri i parë i jashtëm i ish IRJM pas pavarësimit nga ish Jugosllavija, aktualisht këshilltar i presidentit të ish IRJM, bëri bujë në media me deklarata dhe qëndrime të padëgjuara më parë nga donjë intelektual ose zyrtar “maqedonas”. “Maqedonasit dhe bullgarët në të kaluarën kanë qenë një komb, dhe për këtë sot me nje klik në internet gjen materiale të bollshme dhe të besueshmme”, deklaroi z. Maleski! Më tej në shkrimin e tij, Denko Maleski sqaron se si dhe kur u vendos që “maqedonasit” të ndahen si komb i veçantë: – “gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjeneratës së partizanëve maqedonas, ish-‘serbëve të jugut, ju ofrua të jenë komb maqedonas me gjuhën e tyre maqedonase dhe shtetin e tyre Maqedoni, në Federatën e ardhshme Jugosllave,”. Por tani, pas ndryshimit të emrit dhe kushtëzimit të proceseve eurointegruese nga ana e Bullgarisë lidhur me gjuhën, z. Maleski mendon se  “më kot, u përpoqëm që të bindim botën se  jemi pasardhësit e drejtpërdrejtë të maqedonasve antikë” dhe se “ka kaluar koha kur historia maqedonase ishte e mbrojtur nga federata e fuqishme

jugosllave dhe mundej pa presion dhe në mënyrë selektive të zgjidhen tullat e ndërtimit të kombit maqedonas, duke fshirë kudo ku shkruan bullgar dhe zëvendësuar me maqedonas”. Ndaj dhe z. Maleski shpreh qëndrimin e tij se  “ne duhet të diskutojmë seriozisht për mosmarrëveshjet rreth historisë, të cilën ne nuk mund ta ndryshojmë, por mund ta interpretojmë atë në një mënyrë që do të na bëjë miqtë më të mirë”.  Ndërkohë, z. Maleski siguron bashkëkombasit e vet se nuk duhet të shqetësohen për kushtëzimet e Bullgarisë, pasiqë “shpërndarja rajonale e forcave është e tillë që Greqia dhe Serbia nuk duan shtrirje të ndikimit bullgar në Maqedoni dhe ndarjen e saj në sferat shqiptare dhe bullgare”,  duke lënë të nënkuptohet se Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese të votuara edhe nga partitë shqiptare, kishin pikërisht këtë funksion – pamundësimin e faktorizimit kushtetues shqiptar, dhe atij bullgar. A mund të konsiderohen këto deklarime të z. Maleski si zëri i ndërgjegësimit intelektual dhe qytetar i bashkëqytetarëve tanë sllavë, nën presionin e fakteve të pamohueshme historike dhe shkencore, të imponuara tani më me ngulm nga autoritetet bullgare?  Për fat të keq, jo!   Në shkrimin e tij, z. Maleski e sqaron qartë se shteti i  “Maqedonisë”  nuk u krijua me vullnetin e lirë politik të vet qytetarëve që jetojnë aty, por me një vendim

politik dhe ideologjik, i dizajnuar dhe imponuar nga jashtë, i shpallur në formë të vendimeve të ASNOM-it.  Por, e hesht faktin se krijimi i kombit dhe shtetit të ri “maqedonas” nuk ishte një proces i pafajshëm dhe paqësor, sepse i njëjti u krijua me dhunë dhe gjakderdhje mbi territoret e uzurpuara të shqiptarëve, të cilët në atë kohë gëzonin shtetin e tyre të lirë. E edhe për këtë, me një klik në internet gjen dëshmi dhe fakte të bollshme. Si përfaqësues tipik i brezit të politikanëve dhe pushtetarëve të një sistemi çnjerëzor të zhytur në krime ai zgjedh përsëri  interpretimin e shtrembëruar të fakteve dhe historisë, e me këtë mbijetesën e identitetit dhe shtetit të përvetësuar.  Por faktet e shpalosura nga z. Maleski mund t’u shërbejnë fare mirë  bashkëqytetarëve tanë sllavë, të rinjë, që duan të hapin një faqe të re, të qytetëruar, në marrëdhënie me shqiptarët.

 Këto të vërteta dhe fakte të pamohueshme historike  do të duhej të alarmonin edhe intelektualët dhe partitë politke shqiptare, ashtu si dhe shuplaka kthjelluese e presidentit Pendarovski, i cili deklaroi se “nuk na duhet BE me kusht që te heqim dorë nga të qenit maqedonas që flasin gjuhën maqedonase”. Por cili ishte reagimi i partive shqiptare dhe intelektualëve shqiptarë?  Për fat të keq, ashtu si deri tani, partitë shqiptare dhe intelektualët shqiptarë zgjodhën heshtjen dhe nënshtrimin kokëulur, në pritje të privilegjeve nga pushtetit në duart e sllavëve! I vetmi që reagoi, jo për guximin, por për pafytyrësinë dhe demagogjinë politike që ka, ishte z. Sela. Ai në vend se të skuqet për pjesën e përgjegjësisë që mban për mashtrimin qe ju bë shqiptarëve lidhur me anëtarësimin në BE, në shkëmbim të votimit të Marrëveshjes së Prespës, në letrën publike drejtuar presidentit Pendarovski, thjesht bëri rolin e patriotit të zemëruar për opinionin shqiptar. Atij i’u ankua për diskriminin që u bëhet shqiptarëve, pikërisht përmes ligjeve dhe ndryshimeve kushtetutese të cilat i ka votuar vet, bashkë me partitë të cilat i shan! “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk do të t’a bëjnë ty”, i shkruajti z. Sela presidentit , duke bërë paralelizmin absurd në mes të identitetit “maqedonas” të kontestuar me fakte shkencore, dhe identitetit të pakontestueshëm shqiptar, në vend se të adresonte problemin aty ku duhet – tek statusi kushtetues i mohuar. Në solidaritet me presidentin Pendarovski, bëri sërisht paralelizëm absurd, në mes të gjuhës “maqedonase” të kontestuar me të drejtë nga bullgarët si dialekt i tyre, me gjuhën shqipe, gjuhën më të vjetër në Evropë, të kufizuar si gjuhë e pakicave me ligjin të cilin e votoi ai vet. E sikur të mos mjaftonte kjo, u rreshtua përkrah presidentit Pendarovski, kundër Bullgarisë, në mbrojtje të një kauze të paqenë të identitet “maqedonas”, duke injoruar faktin që shqiptarët janë pala e dëmtuar, por jo nga Bullgaria. Dhe në fund,

me paturpësinë më të madhe, po atë kushtetutë që votoi vitin e kaluar bashkë me dhunuesit e tij, tani e quan “kushtetutë anakronike dhe anti-evropiane” !

Deklaratat e këtyre dy personaliteteve të rëndësishëm politik, z. Maleski dhe z. Pendarovski duhet të vetëdijësojnë dhe ndërgjësojnë pjesën e shëndoshë të klasës politike shqiptare dhe intelektualët me atë pak guxim intelektual të mbetur, për të ndërprerë njëherë e përgjithmonë, përkrahjen “blanko” në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së përvetësuar nga ana e bashkëqytetarëve të tyre sllavë në pritje të realizimit të premtimeve boshe. Është koha e fundit, që qasja prej spektatorit, të zëvendësohet me atë të palës së dëmtuar që kërkon rivendsojen e drejtësisë. Me ndihmën e gjithnjë e më shumë fakteve historike të bëra publike kohëve të fundit, të këmbëngulet në ridefinimit e plotë të kushtetutës, duke  përjashtuar nga kjo kushtetutë vendimet antishqiptare, ideologjike dhe falsifikuese të ASNOM-it, dhe duke i zëvendësuar ato me standarde kushtetuese evropiane të ndërtimit të shteteve bashkësi popujsh.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments