4.6 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAfrim Ibrahimi / Debati për figurën e Xhafer Devës – koha për...

Afrim Ibrahimi / Debati për figurën e Xhafer Devës – koha për rezonim gjakftohtë, pajtim kombëtar dhe kohezion në shoqërinë shqiptare

Kjo në foto është shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, për të cilën Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës, në bashkëpunim me BE dhe UNDP në fillim të shkurtit njoftuan projektin e restaurimit “me qëllimin për të sjellë komunitetet së bashku dhe të kontribuojë në kohezionin shoqëror, duke përdorur trashëgiminë kulturore si një instrument për dialogun midis komuniteteve”.

Reagimi i parë pas këtij njoftimi, erdhi nga Ministria e Kulturës dhe Informimit e Serbisë, vend i cili para 27 vitesh, në luftën e Bosnjës (1992-1995) ushtroi “spastrimi etnik sistematik” ndaj boshnjakëve dhe kroatëve, duke vrarë rreth 80.000 boshnjakë. Përgjegjëse për masakrën më të madhe në Evropë që nga Holokausti, duke vrarë në Srebrenicë rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995. Përgjegjëse për krime lufte dhe spastrim etnik sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1998-1999. Në reagimin e saj, Ministria e Kulturës dhe Informimit të Serbisë kërkoi që projekti të mos realizohet me arsyetimin se Xhafer Deva është përgjegjës për “përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër serbëve dhe hebrenjve”.

kësaj vazhdoi debati konfuz brenda shoqërisë shqiptare, që padyshim vuan nga një PTSD kolektive, me memorie dhe aftësi rezonimi të dëmtuar. Shoqëri, akoma e trullosur nga ideologjia që nxiti luftën vëllavrasëse në shërbim të fqinjëve, ndaj akoma dhe sot e kësaj dite shikon figurën e Xhafer Devës përmes syzeve ideologjike. Ndaj, nuk është në gjendje të shohë intelektualin, nacionalistin dhe patriotin tek figura e Xhafer Devës, por bashkë me serbët, shohin “antisemitin” tek ministri i brendshëm i shtetit të vetëm në botë në kohën e luftës së dytë botërore, ku numri hebrenjve nuk u pakësua, por përkundrazi u rrit. Dhe përsëri bashkë me serbët, tek figura e tij shohin vetëm “fashistin”, i cili bashkëpunoi me SHBA, Britani dhe Francë, për të rrëzuar regjimin “antifashist”, komunist të Enver Hoxhës, dhe jetoi dhe vdiq në SHBA, pikërisht në vendin i cili i priu botës në luftën kundër fashizmit dhe proceseve gjyqësore kundër fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Shoqëri e cila kërkon me llupë fashizmin në qeverinë e intelektualëve dhe nacionalistëve shqiptarë, por është e verbër për të parë kontributin dhe sakrificën e tyre për ta bërë Shqipërinë në kohë lufte, me një qeveri kombëtare, që solli lirinë, administratën shqipe dhe shkollat shqipe, për gjysmën e kombit, deri atëherë nën pushtimin e fqinjëve sllavë.

Ashtu siç janë të verbër për të parë dhe kuptuar se “liria” që ua sollën “antifashistët” komunistë, shqiptarë dhe sllavë bashkë, ia ktheu gjysmës së kombit pushtimin sllav, dhe gjithë kombit, fashizimin komunist që zgjati 5 decenie, me pasojat që i ndjejmë edhe sot e kësaj dite. Shoqëri e cila arrin të shoh fajtorin tek Xhafer Deva, ministër i brendshëm në kohë lufte, për “masakrën” e 4 shkurtit 1944 kundër 11-14 komunistëve në Tiranë, por nuk është në gjendje të shoh terroristët tek guerilët komunistë, të cilët organizuan një sërë atentatesh, duke plagosur kryeministrin Shefqet Vërlaci më 1941, duke vrarë kryetarin e Kuvendit, Idhomeno Kosturi dhe duke plagosur kryeministrin Mustafa Kruja më 1943, dhe duke plagosur ministrin e brendshëm Xhafer Deva dhe vrarë nipin e tij adoleshent që ndodhej në makinë me te më 1944. Arrin të dallojë “gabimin” e Xhafer Devës që angazhoi batalionin “Kosova” me “kosovarë”, për të “spastruar” komunistët në Tiranë, por shmang faktin e hidhur, se brigada të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, spastruan Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, si dhe qytetet e Kosovës nga nacionalistët shqiptarë, për t’ua dorëzuar pastaj “antifashistëve komunistë” serbë.

Ndërkohë, këtij konfuzioni më shumë politik se sa historik të shqiptarëve, vendosi të japi “kontributin” e tij (demagogjik) edhe ambasadori gjerman në Kosovë, duke bërë thirrje që të rrafshohen shumica dërmuese e shtëpive të shqiptarëve, veçanërisht nëpër ish IRJM dhe Kosovë. Sepse, me gjasë z. Rohde nuk e ka idenë se partizanët, që mbanin ekskluzivitetin e antifashizmit në atë kohë, ishin të rrallë në këto qytete. Por në të njëjtën kohë, ambasadorit gjerman nuk i pengon fakti që shtëpia e lindjes së Hitlerit sot është e mbrojtur si trashëgimi kulturore nga shteti Austriak, ndërsa kompleksi Kehlsteinhaus (Foleja e Shqiponjës) i përdorur ekskluzivisht nga anëtarët e Partisë Naziste për takime qeveritare dhe shoqërore, sot përdoret si atraksion turistik me guida të organizuara për turistë.

Ndaj po! Shqiptarëve, të mësuar me emra “heronjsh” të partizanëve sllavë nëpër lagjet dhe shkollat e tyre, u duhen monumente të trashëgimisë kulturore dhe historike si kjo e shtëpisë së Xhafer Dervës. Por jo vetëm ky monument, dhe jo për të shërbyer si “instrument për dialogun midis komuniteteve”. Shqiptarëve u duhen më shumë monumente të tilla, në më shumë qytete shqiptare, për t’ua kujtuar dhe për t’i vetëdijesuar për faktin e pamohueshëm historik, e konsideruar deri tani si tabu temë, se ashtu siç kishte komunistë internacionalistë shqiptarë, të cilët, në emër të luftës kundër fashizmit prunë sundimin komunist në shërbim të sllavizmit, kishte edhe nacionalistë shqiptarë, sot mund të themi padyshim largpamës, të cilët e luftuan këtë ideologji, duke u sakrifikuar në shërbim të kombit. Për t’ua kujtuar atyre faktin e hidhur, se lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, më shumë se një luftë kundër fashizmit, ishte një luftë vëllavrasëse, e imponuar, e nxitur dhe e dirigjuar nga sllavët, në emër të ideologjisë komuniste dhe luftës kundër fashizmit. U duhen këto monumente të trashëgimisë kulturore dhe historike, për të nxitur rezonimin gjakftohtë pa ngjyrosje ideologjike, dialogun e sinqertë dhe pajtimin kombëtar, në funksion të kohezionit, kaq shumë të nevojshëm, brenda shoqërisë shqiptare. E gjitha kjo, për të qenë të qartë për të kaluarën, dhe të bashkuar dhe përgatitur për këto momente vendimtare historike për të ardhmen e kombit shqiptar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments