Në pamje të parë duket si në pyetje e vështirë, me më shumë përgjigje të mundshme. Por në fakt përgjigjen në këtë pyetje e gjejmë pikërisht tek argumenti i koalicionit bashkëqeverisës në pushtet për të mos lejuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në ish IRJM – tek përgjigja e Komisionit të Venecias.
Përgjigjen e gjejmë edhe tek ato kllapa me të cilat partitë shqiptare e “burgosën” gjuhën shqipe në ligjin për përdorimin e gjuhëve. Janë pikërisht ato formulime që sot u japin hapësirë të tjerëve ta relativizojnë edhe vetë ekzistimin e një ligji për gjuhën shqipe.
Por problemi nuk është vetëm ligjor. Problemi është filozofia mbi të cilën ndërtohet shteti.
Komisioni i Venecias, me insistim të VMRO dhe kërkesë të LSDM, vlerësoi se ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është antikushtetues, por disa dispozita të ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedonia e Veriut “shkojnë përtej standardeve të kërkuara nga instrumentet evropiane për mbrojtjen e gjuhëve të PAKICAVE”.
Pra thelbi i diskriminimit, ne mes tjerash edhe për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, qëndron tek trajtimi politik dhe kushtetues i shqiptarëve si PAKICË.
Ndaj të dashur studentë, mos harxhoni kot bojën, kohën dhe energjinë tuaj për të shkruar më shumë se një pankartë me kërkesa. Ju mjafton vetëm një pankartë: NDRYSHIME KUSHTETUESE, ku shqiptarët do të trajtoheshin si popull shtetformues.
Sepse, të dashur studentë, çdo betejë për gjuhën shqipe do të rikthehet përsëri e përsëri, për aq kohë sa shqiptarët nuk definohen kushtetutshmërisht si popull shtetformues.
Problemi nuk është vetëm nëse një student shqiptar mund të bëhet mjek apo avokat në gjuhën e tij. Problemi është shumë më i thellë: a konsiderohet shqiptari në këtë shtet zot i barabartë i shtetit apo thjesht komunitet që tolerohet brenda tij? Derisa shqiptarët trajtohen juridikisht si “pakicë”, çdo e drejtë e tyre do të mbetet e kushtëzuar, e përkohshme dhe e kontestueshme.
Dhe pikërisht për këtë arsye, protesta juaj nuk është vetëm studentore. Është protestë për definimin politik të shqiptarëve në shtet, si pakicë që tolerohet, apo si popull që bashkëthemelon shtetin.
Sepse popujt nuk humbin kur u mohohen të drejtat. Humbin kur mësohen të jetojnë pa to.
Të dashur studentë, ju sot po mbani mbi supet tuaja një barrë që duhej ta kishin zgjidhur gjeneratat para jush. Por historia shpesh ua lë padrejtësisht më të rinjve detyrat më të mëdha.
Ndaj qëndroni stoikë, mos u tërhiqni. Barazia nuk kërkohet si favor. Barazia merret si e drejtë..
