Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e ka cilësuar “vjedhjen më të dhunshme që i bëhet shqiptarëve” kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe vendimin për shembjen e kompleksit të godinave.
Me një shënim në facebook, ku ka shpërndarë edhe qëndrimin e organizatës “Europa Nostra”, Basha shkruan se ky është “akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë”.
“Afera me TK është vjedhja më e dhunshme që u bëhet shqiptarëve nga Rama. Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen nga RAMAVIRUSI: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord“, shkruan kreu i PD-së.
Ditën e djeshme, Europa Nostra, organizatë europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane, doli me një deklaratë në mbrojtje të Teatrit, që e ka shpallur edhe si një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara në Europ.
“Ne jemi për trashëgiminë kulturore të Europës. Prandaj, edhe kundërshtojmë propozimin për prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara në Europë. Teatri është i mbrojtur nga legjislacioni vendas, si dhe shoqëria civile e ekspertët.”, thuhej në deklaratën e Europa Nostra.