Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Elon Musk dhe kompanisë së tij, SpaceX, që të ndihmojnë në kthimin e dy astronautëve amerikanë të bllokuar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) për më shumë se tetë muaj, pas dështimit të kapsulës Starliner të Boeing.
Miliarderi Musk konfirmoi të martën në mbrëmje se SpaceX do të ndërmarrë një mision shpëtimi për Butch Wilmore dhe Suni Williams, të cilët ishin nisur drejt ISS në qershorin e kaluar në atë që fillimisht ishte planifikuar si një mision njëjavor.“@POTUS i ka kërkuar @SpaceX që të sjellë në shtëpi dy astronautët e bllokuar në @SpaceStation sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do ta bëjmë këtë,” shkroi Musk në platformën e tij sociale, X. Ai shtoi gjithashtu: “Është e tmerrshme që administrata e Biden-it i la atje kaq gjatë.”
Astronautët u nisën drejt ISS me Starliner, kapsulën e parë të Boeing për fluturime me njerëz, por menjëherë pas mbërritjes, u zbuluan probleme serioze teknike, përfshirë rrjedhje të heliumit dhe defekte në sistemin e shtytjes. Për shkak të këtyre problemeve, NASA e cilësoi kapsulën të pasigurt për t’i kthyer astronautët në Tokë, duke e kthyer atë bosh vitin e kaluar.
Planet për një mision shpëtimi ishin diskutuar që gjatë administratës Biden, por sipas Trump dhe Musk, veprimet ishin vonuar. Musk, i cili gjithashtu drejton “Departamentin e Efiçencës së Qeverisë” nën administratën Trump, premtoi se SpaceX do të veprojë “sa më shpejt të jetë e mundur” për të sjellë astronautët në shtëpi.