Pse kjo pyetje u parashtrohet qytetarëve kur politika duhet të jep përgjigje për këtë çështje?
Përgjigjja e qytetarëve është e qartë: Pse jo?!
Në pyetjen “Pse jo?” të një partie politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, përgjigjja e qytetarëve shqiptarë dhe e shumicës së qytetarëve me përkatësi të tjera etnike është: Pse jo?!
Por, së pari, politika është ajo që duhet të jep përgjigje në shumë pyetje të tjera përpara kësaj, për problemet e pazgjidhura të shqiptarëve në këtë shtet, që janë shndërruar në pengesa të pakalueshme për të marrë përgjigjen e saktë në lidhje me pyetjen që aktualisht e parashtron faktori politik shqiptar: Pse jo, kryetar shqiptar i Qeverisë së Maqedonisë Veriore?
Përgjigje në këtë pyetje mund të merret vetëm atëherë kur politika do t’u jep përgjigje pyetjeve që i paraprijnë kësaj, si:
1. Pse të mos jenë shqiptarët popull shtetformues në shtetin e tyre të përbashkët,por të trajtohen si pakicë kombëtare, si numra e përqindje (20%)?
2. Pse shqiptarët të përfaqësohen në Parlament me 16,6%, sa në mandatin e fundit, ose nën 25% sa kanë qenë në mandatin e mëparshëm, përderisa shqiptarët përbëjnë mbi 35% të popullsisë* në këtë shtet dhe realisht duhet të jenë forcë reale politike me së paku 40 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë Veriore?
3. Pse në Maqedoni nuk mund të jenë të besueshme të dhënat zyrtare për numrin e banorëve, numrin e të shpërngulurve gjatë viteve të fundit, numri e votuesve në Listë e përgjithshme? Dhe, si ka mundësi në një shtet ku bashkëqeverisin edhe partitë e shqiptarëve, organet e pushtetit të japin disa qindra mijë shtetësi dhe dokumente personale për persona të panjohur, votues fiktivë që i përmbysin rezultatet e zgjedhjeve në dëm të shqiptarëve?
4. Cilat janë shkaqet dhe pengesat, që partitë politike të shqiptarëve të mos i bashkërendojë aktivitet e tyre për çështjet në interes të përgjithshëm kombëtar, e të mos shndërrohen në faktor politik të rëndësishëm në vend e më gjerë?
Për këto dhe pyetje të tjera, mediet në gjuhën shqipe duhet të organizojnë debate të hapura për opinionin vendës, me liderë të partive politike të shqiptarëve, së bashku apo veçmas, që njëherë e qartë të japin përgjigje pikërisht në këto pyetje, shkurt, qartë dhe shqip, para se të kërkojnë përgjigje nga qytetarët vendës në pyetje të tipit: PSE JO?, për të cilan partitë janë ato që duhet të japin përgjigje para qytetarëve dhe sidomos para votuesve të tyre.
Nëse mediet nuk e bëjnë këtë dhe liderët e partive politike të shqiptarëve nuk kanë përgjigje të sakta dhe të qarta për këto pyetje, cila është arsyeja e ekzistimit të tyre, e partive politike të shqiptarëve edhe e medieve në gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore?!
Sa për t’u shërbyer interesave të pushtetit, jo edhe interesave të popullit shqiptar: Ju faleminderit!
(14.VI.2020)