-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti / DJALLI JETON DUKE NGRËNË KRIJESAT E VETA!

Abdulla Mehmeti / DJALLI JETON DUKE NGRËNË KRIJESAT E VETA!

Pse të gjithë në këtë fushatë, pushtetarë, politikanë, media, gazetarë, opinionistë, analistë, propagandues të paguar dhe vullnetarë, duhet të përqendrohen vetëm në cilësinë e kandidatëve për kryetar shteti, për proviniencën dhe orientimin e partive politike, si kandiduese apo përkrahëse të këtyre kandidatëve, por askush nuk diskuton për cilësinë e zgjedhjeve, për pritshmëritë dhe dështimet eventuale të tyre?

Çfarë zgjedhje mund të jenë këto që po organizohen pa e ndryshuar rrënjësisht kodin zgjedhor, i cili nuk garanton zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike; pa i ndryshuar ligjet diskriminuese me të cilat rregullohet çështja e zgjedhjeve dhe e drejta e munguar e votës së lirë të qytetarëve; me listën e përgjithshme të votuesve, tepër të pabesueshme dhe të diskutueshme, në të cilën ka më tepër votues se sa banorë që ka shteti?

Shumica e këtyre çështjeve të dyshimta dhe pazgjidhura do të marrin përgjigje të duhur pas zgjedhjeve, nga numri i vogël i votuesve, sepse afër gjysma e tyre janë jashtë shtetit, ndërsa atje ku janë shumica nuk kanë interesim dhe asnjë motiv për të votuar.

Prandaj, në këto zgjedhje për kryetar shteti të Maqedonisë Veriore, asnjëri nga kandidatët nuk do të jetë fitues apo humbës, por fitues do të jenë qytetarët përballë mashtruesve dhe falsifikatorëve të numrit të popullsisë dhe numrit të përgjithshëm të votuesve, si dhe përballë fajtorëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në shtet, për dekada me radhë.

Këtë realitet të ri që po krijohet nuk e kanë të qartë ende, nuk e besojnë dhe ndjejnë shumica e qytetarëve për shkak të propagandës së fuqishme mediatike-policore dhe nga shpërlarja e trurit për një kohë të gjatë në periudhën e tranzicionit demokratik të pafund.

Këtë realitet nuk janë duke e kuptuar as shumica e politikanëve udhëheqës, përderisa u shkojnë prapa tyre përkrahës, përfitues dhe lajkatarë, të cilët edhe kur u duartrokasin nuk u besojnë atyre. Qytetarët e këtij vendi duhet ta dinë që shumica e krijon realitetin e ri, jo dëshirat dhe ambiciet personale e grupore të drejtuesve të disa partive politke, të cilat për dekada me radhë e kanë krijuar këtë gjendje që po shpërthen tani, ngadalë por fuqishëm.

Ky shtet duhet të ecë përpara në rrugën e filluar, me anëtarësimin e tij në NATO dhe BE, me ndërtimin e shtetit ligjor dhe sigurimin e barazisë së plotë për të gjithë qytetarët, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, pa dominim të një etnie mbi të tjerat.

Kjo nënkupton edhe rritjen e kontrollit nga jashtë, mbikëqyrjen e veçantë nga institucionet ndërkombëtare për përmbushjen e detyrimeve që ka marrë pushteti aktual. Përmbushja e këtyre standardeve nënkupton edhe organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjve të lira, të drejta dhe demokratike, të cilat i kanë munguar këtij shteti deri më sot.

Ka ardhur koha e llogaridhënies përpara qytetarëve dhe historisë, koha e heqjes së litarit nga fyti i qytetarëve dhe lidhja e shtrëngimi i tij në fytin e politikanëve të pangopur, hajnave dhe mashtruesve, sidomos të falsifikatorëve të përbërjes etnike të shtetit, numrit të banorëve dhe numrit real të votuesve.

Çka do të qeverisin tani këta politikanë mashtrues: shtetin që e plaçkitën dhe varfëruan deri në shpërfytirim, apo gjysmën e qytetarëve të mbetur, pasi qindra mijëra banorë i detyruan ta braktisin vendin për shkak të qeverisjes së keqe?

Gropës së zezë të hapur për qytetarët e këtij vendi, sidomos për shqiptarët, tani vetë krijuesit e saj po i afrohen ngadalë.

Vota e lirë e qytetarëve, herët apo vonë do t’i çojë të gjitha këto krijesa të djallit atje ku e kanë vendin, në pakthim.

Djalli jeton duke ngrënë krijesat e veta!

(7 prill 2019)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments