8 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeA do ta rrezikojë “Dvojnik” regjimin pa viza? Dujovski: Reputacioni i vendit...

A do ta rrezikojë “Dvojnik” regjimin pa viza? Dujovski: Reputacioni i vendit është në pikëpyetje

Si do të rrjedhë afera me pasaportat me identitet të rrejshëm dhe sa do të mund ta rrezikojë regjimin pa viza? Euroambasadori Dejvid Gir, tha se nuk dëshiron ta komentojë hetimin, duke theksuar se hetimi për aferën “Dvojnik” dhe regjimi pa viza janë dy çështje të ndryshme.

“Nuk do të komentoj hetime që janë në proces të përsipër, pas çështjes për shitjen e pasaportave. Kjo është çështje e autoriteteve, ka hetim, i cili duhet vazhduar dhe si në çdo rast tjetër nëse ka prova që i mbështesin hetimet atëherë duhet të ketë edhe aktakuza dhe të gjitha shkeljet të dalin para drejtësisë. Kjo çështje është ndarë nga çështja e regjimit pa viza i cili mbetet në fuqi”, deklaroi Gir.

Sipas profesorit universitar, Nikolla Dujovski afera “Dvojnik” mund ta rrezikojë reputacionin ndërkombëtar të vendit. Ai shton se kjo gjë do të varet nga sjellja dhe veprimi i institucioneve shtetërore, respektivisht nga ajo nëse do të bashkëpunojnë në nivel ndërkombëtar dhe vendor. Megjithatë, Dujovski qetëson se regjimi pa viza nuk do të vihet nën pikëpyetje.

“Nuk mund të rrezikohet regjimi pa viza, çdokush që shpreh qëndrime të këtilla, tregon të pavërteta, për shkak se ne tashmë jemi vend anëtar i NATO-s. Regjimi pa viza është çështje që ne e kemi mbyllur në vitin 2009. Nuk mund që krimi i këtij lloji të ndikojë në proceset që ne para rreth 10 viteve i kemi plotësuar. Aktivitetet e këtilla kriminele dhe rastet e tilla aspak nuk kanë lidhje me vendimin e Komisionin evropian për vendosjen e Maqedonisë në listën e “bardhë” të Shengenit”, deklaroi Dujovski.

Por, Antonijo Milloshoski, kryetar i Komisionit kuvendor për Punë të Jashtme thotë se afera me lëshimin e pasaportave maqedonase me identitet të rrejshëm për kriminelët ndërkombëtarë mund të ketë pasoja serioze.

“Këtë regjim pa viza Maqedonia e mori në vitin 2010 dhe bazohet në parimin e standardeve të larta, kontrollin serioz kufitar dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes vendeve-anëtare të BE-së dhe vendeve që gëzojnë regjim pa viza. Me skandalin “Mafia” konsiderojmë se Maqedonia e humb këtë besim”, tha Milloshoski.

Dujovski tregon se tani për tani gjëja më e rëndësishme është të ndiqet hetimi dhe të shihet nëse do të zgjerohet i njëjti, me qëllim që të zbulohet i gjithë rrjeti, duke pasur parasysh se me publikimin e kësaj afere nga ana e opozitës, operacioni i ndjekjes është ndërprerë.

“Nëse nevojitet që ky hetim të shkojë deri tek eshalonët më të lartë të pushtetit, veçanërisht në MPB-në, është shumë e rëndësishme që kjo të jetë ashtu, nëse mblidhen prova se ka edhe persona të tjerë që janë përfshirë në këtë krim ndërkombëtar ose në këtë grup ndërkombëtar kriminel, ata të procedohen në mënyrë adekuate, ashtu do të dalim faqebardhë”, vlerëson Dujovski.

Nga Aleanca për shqiptarët/Alternativa akuzojnë se strukturat kriminale e kanë mbështetjen e njerëzve të parë të MPB-së, prandaj procesi i ballafaqimit me krimin dhe korrupsionin në vend shkon vështirë.

“ASH dhe Alternativë apelojnë deri te faktori ndërkombëtar, BE, NATO dhe SHBA të bëjnë presion ndaj strukturave qeveritare që lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe tregtimit ilegal me mjete narkotike të fillojë nga krerët e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, për shkak se mbështetja dhe mbrojtja e banditëve vijnë pikërisht prej personave të caktuar të qeverisë aktuale”, tha Bujare Abazi nga ASH-AAA.

Një nga personat të cilët përmenden se kanë pasaporta të rreme maqedonase me identitet të vjedhur është edhe shtetasi i Turqisë, Sedat Peker. Policia turke sot zbatoi operacion kundër anëtarëve të një grupi të organizuar kriminal, duke pohuar se udhëheqësi i tij është pikërisht Pekeri. Policia bëri bastisje në 121 adresa me urdhër për arrestim të 63 personave, mes të cilëve është edhe Pekeri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments