8 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeVjosa Osmani: Në vend të grevës, duhet t’i jepet mundësi dialogut

Vjosa Osmani: Në vend të grevës, duhet t’i jepet mundësi dialogut

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga palët të reflektojnë për ta ndërprerë grevën në arsim.

Përmes një postimi në Facebook Osmani ka thënë se duhet përmirësuar pozita e mësimdhënësve, por sipas saj fillimisht duhet të ndërpritet greva.

Ajo ka ftuar palët që t’i kthehen dialogut dhe të reflektojnë në kthimin e procesit mësimorë.

“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mos fillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar Osmani, përcjell Telegrafi.

“Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”.

Presidentja e ka përmenduar edhe rolin historik të arsimit në Kosovë.

“Arsimi ka luajtur rol jo vetën në formimin e vetëdijes tonë kombëtare, por edhe në shtetndërtimin dhe përparimin tonë të gjithmbarshëm. Si i tillë, ai është i shenjtë, sepse është çelës për të ardhme të ndritur të shoqërisë dhe shtetit tonë”.

Osmani ka deklaruar se me Ligjin e Pagave që është në procesim e sipër është përmirësuar edhe pozita e mësimdhënësve.

“Për këtë arsye, institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik”.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera”.

E para e shtetit ka kërkuar fillim të procesit mësimor në mënyrë të pakushtëzuar.

“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve”.

“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!”.

Presidentja thotë se zyra e saj është duke u angazhuar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga palët por që sipas saj në fokus do të ishte interesi i nxënësve.

“Zyra ime ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor”, ka përfunduar Osmani./Telegrafi/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments